Një i panjohur hyn në Shtëpinë e Bardhë

19/09/2014 00:00

Momente alarmi ka kaluar stafi i Shtëpisë së Bardhë. Pak para orës 20:00 të së premtes, rreth 02:00 me orën tonë, shërbimet sekrete përgjegjëse për sigurinë e selisë presidenciale kanë dhënë urdhër për evakuimin e pjesshëm të saj.

Kjo, pasi një person ka kaluar mbikëqyrjen, ka hyrë në park dhe është drejtuar për tek porta-gardh që rrethon ndërtesën. Por nuk ka shkuar dot më tej pasi agjentët e kanë bllokuar.

Episodi është verifikuar pak minuta pas nisjes së presidentit Obama dhe dy vajzave të tij në Kemp Dejvid, ndërkohë që nuk është saktësuar se ku ndodhej zonja e parë Michelle.

Gjithashtu, asnjë detaj nuk është dhënë mbi protagonistin, hyrja e të cilit mund të ndezë polemika mbi efikasitetin e sigurisë përreth godinës më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara.

Shërbimet sekrete, bashkë me repartin special të policisë që kontrollon zonën, ka urdhëruar menjëherë marrjen e masave të emergjencës që parashikohen në këto raste.

Stafi dhe gazetarët janë nxjerrë jashtë nga Krahu Perëndimor për një orë, ndërsa grupe agjentësh, me armë në duar kanë kontrolluar gjithë perimetrin përreth dhe ambjentet e brendshme.

Pavarësisht se nuk ka ndodhur asgjë, Shtëpia e Bardhë ka kaluar momente dramatike me automjetet e sigurisë dhe roje të vendosura nën presion nga frika e një akti terrorist të lidhur me krizën në Lindjen e Mesme, ose thjesht ndonjë gjesti demonstrativ.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA