Atletico Madrid fiton Superkupën e Spanjës

23/08/2014 00:00

Dy minuta i mjaftuan kroatit Mandzukic për t’i dhuruar Superkupën e Spanjës Atletico Madrid, pasi ishte autor i golit të vetëm në ndeshjen e kthimit ndaj Realit të Madridit.

Edhe pse kundërshtarët ishin të një niveli mjaft të lartë, me lojtarë si Ronaldo, Bale, Benzema apo edhe të ardhurit së fundi, Rodriguez e Kroos, trajneri i kampionëve në fuqi të La Liga-s arriti të mobilizonte maksimalisht të besuarit e tij, duke i dhuruar trofeun e parë Atletico-s për sezonin e ri.

Anchelotti e nisi ndeshjen pa Ronaldon dhe me një gol diferencë, pas dy minutash Atletico kaloi në avantazh. Por Reali u duk se do ta gjente golin e barazimit shpejt, pasi James pati disa mundësi të mira shënimi, pori i shpërdoroi ato. Në pjesë e dytë, Ronaldo u aktivizua menjëherë duke zëvendësuar gjermanin Kroos, por pas kësaj lëvizje dhe largimit nga fusha edhe të James për Isco, loja e Reali ra ndjeshëm.  

Atletico, e cila në këtë ndeshje ishte pritëse pas asaj të mbyllur 1-1 në fushë kundërshtare, arriti t’ia dilte mjaft mirë të mos pësonte gol gjatë gjithë takimit, madje në disa raste ata u shfaqën mjaft të rrezikshëm në portën e Realit, por Casillas ishte vendimtar me disa pritje fantastike.

Trajneri Simeone me Atleticon e tij duket se me këtë fitore është hakmarrë ndaj Realit, pas humbjes së Champions League një vit më parë.

Top Channel