Me afrimin e shtatorit kanë nisur të qarkullojnë gjithnjë e më shumë hamendësime mbi produktet e reja që pritet të dalë në treg Apple.

Përqendrimi është tek iPhone 6. Sigurisht me ngopjen e tregut me telefona inteligjentë padurimi nuk është më ai i kohërave të Steve Jobs, por gjithsesi Apple pritet të sjellë disa risi pas pak javësh.

E para që përflitet është hedhja në treg e dy llojeve telefonash me përmasa më të mëdha nga produktet tradicionale. Përflitet dalja në treg e një iPhone me ekran 4.7 polësh dhe një tjetri me 5.5.

Sigurisht rritja e përmasave nuk do të jetë risia e vetme. Pritet përmirësim i parametrave të telefonave për të qenë në lartësinë e konkurrencës me Samsung dhe produktin e hedhur prej tij në prill, Galaxy S5, por edhe një përmirësim i sistemit të operimit.

Për momentin gjithcka mbetet në kuadrin e zhurmës në forumet teknologjike, pasi Apple vazhdon me politikën tradicionale duke qenë hermetike në lëshimin e informacioneve që lidhen me produktet e saj.

Top Channel