Fashizmi dhe terrorizmi si dështim i (neo)liberalizmit

14/08/2014 00:00

Arbër Zaimi – Do të ishte e padrejtë po të thoshim se Italia njihet në botë për mafien dhe për politikanët e korruptuar pa shtyllë kurrizore. Por në kohët kur si Komedia Hyjnore ashtu edhe Shkretëtira e Tartarëve shërbejnë më shumë për të zbukuruar mobiliet e kur edukimi më gjerësisht se kurrë është mision i marrë përsipër nga mediat-tabloid dhe nga filmat blockbusters – kjo mund të bëjë vaki.

Qeverisja italiane bashkë me ndihmën e pandërprerë të aleatëve të saj të fuqishëm, ndër të cilët SHBA, pareshtur ka ndërmarrë aksione për çrrënjosjen e mafies, duke arrestuar herë pas here krerët e saj, megjithatë zhvillimi i organizatave të tilla kurrë s’është ndërprerë, përkundrazi është shtrirë edhe ndërkombëtarisht, ndërkohë që ruan sensin e fortë të origjinës e të përkatësisë identitare.

Çështja e mafies përbën një nyje gordiane për shumëkënd – por një nga shpjegimet interesante për të i ka dhënë Antonio Gramshi. Në një ese të tijën mbi bashkimin kombëtar të Italisë Gramshi përshkruan dy forcat që u vunë në ballë të këtij procesi në mes të shekullit XIX. Nga një anë ishin industrialistët liberalë, të përqendruar kryesisht në Torino e në Milano, dhe nga ana tjetër ishin revolucionarët Mazzini e Garibaldi, të cilët gjetën mbështetje kryesisht në ishuj dhe në jugun ende feudal të Italisë. Premtimet e të dyja palëve u bënë tërheqëse për popullsinë, industrialistët liberalë premtonin zhvillim teknologjik e industrial të pjesëve të tjera të Italisë nën shembullin e dy qyteteve të sipërpërmendura; ndërsa garibaldinët premtonin themelimin e një komuniteti të ri, më të madh e më funksional, ku bujqit e varfëruar të jugut e të ishujve do të merrnin pjesë si të barabartë. Pra komunitetin e një shteti-komb, sipas shembullit francez. Por pas realizimit të bashkimit të Italisë dhe zhdukjes së pesë a gjashtë shteteve që më përpara e përbënin atë – premtimi u harrua. Industrialistët veriorë e përdorën jugun thjesht si një treg të shtuar dhe si një burim të pashtershëm të krahut të punës – ndërsa për ta qeverisur bënë menjëherë marrëveshje me elitën e mëparshme të atyre viseve, me feudalë, klerikë dhe udhëheqës të opinionit.

Ky qark i shkurtër që anashkalonte popullin – sipas Gramshit – përgatiti themelin për lulëzimin e mafies, kësaj organizate të mbështetur fort në këto tri shtylla: në vasalizmin (klientelizmin) feudal; në përdorimin politik të religjionit; dhe në drejtimin (apo kontrollin) e opinionit publik përmes shtënies në dorë të intelektualëve lokalë (Gramshi bën dallimin mes intelektualit të qytetit të industrializuar dhe intelektualit të qytetit feudal – ku i dyti në mënyrë tepër direkte është i varur prej pushtetit). Populli – i zhgënjyer prej qeverisjes qendrore e cila tashmë ka hequr tërësisht dorë prej premtimit për zhvillim (industrial ose jo) – nuk beson më te komuniteti i ri politik i propaganduar nga Garibaldi, dhe është rikthyer te lokalizmat dhe identitarizmat krahinorë (jo më kot Italia quhet “atdheu” i dialekteve). Të braktisur në këtë situatë të mjerë, nuk janë pak ata të rinj që me dëshirën e tyre bëhen rekrutë për mafien e versionet e saj lokale apo ndërkombëtare. Por gjithsesi nuk janë aq shumë sa t’u japin të drejtë bigotëve idiotë e racistë që përgjithësojnë çdo italian me një mafioz, madje as atyre që përgjithësojnë sicilianin a kalabrezin me mafiozin.

Tash le të bëjmë një kapërcim, duke ruajtur aparatin analitik të Gramshit, por duke e përdorur atë në një situatë krejt tjetër, dhe të flasim për shqiptarët në Ballkan – të cilët aktualisht jetojnë në katër shtete. Premtimet e tradhtuara në rastin e shqiptarëve në Ballkan janë disi të ndryshme nga ato të rastit të Italisë. Premtimi i bashkimit në një komunitet të ri në këtë rast i përket më shumë Shqipërisë dhe Kosovës – si vende me popullsi mbi 93% shqiptare. Mirëpo ky premtim i ndërtuar dhe i trashëguar në mbi një shekull jo vetëm që u braktis – por edhe u luftua, sidomos në Kosovë, përmes sponsorizimit të identiteteve lokale. Një premtim tjetër që i prek përmes zhgënjimit shqiptarët e sotëm bashkë me shumë popuj të tjerë – është premtimi europian gjysmë i braktisur – për demokratizim apo zhvillim ekonomik. Ky premtim ushqeu shpresat e popujve të lindjes europiane sidomos në fillim të viteve ’90, por tashmë është e qartë se plani ekonomik i Europës për vendet e lindjes nuk ka se si të jetë ndryshe nga ai që pati për vendet e jugut të saj, Greqinë, Italinë apo vendet iberike.

Shqiptarët, të tronditur nga e shkuara nën regjimin enverist në Shqipëri, apo të traumatizuar prej racizmit dhe aparteidit thuajse njëshekullor nën Jugosllavi – dolën optimistë prej këtyre zgjedhave (të parët në ’93 e të dytët në ’99). Por optimizmi nuk mundi t’u mbijetojë brutaliteteve të atyre që morën përsipër të qeverisin për të shuar premtimet e përmendura – respektivisht demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën pas pavarësimit të kësaj të fundit. Optimizmi u shndërrua ngadalë në cinizëm – dhe njëjtë si në Italinë e Jugut, shqiptarët në masë sot ndihen të pashpresë. Të flakur në “kulturën” e individualizmit ekstrem ata përbëjnë një terren të mirë rekrutimi si për organizatat mafioze që operojnë në Perëndim, ashtu edhe për disa fashizma religjiozë të shfaqura së fundmi në Lindjen e Mesme. Pushteti qeverisës në Shqipëri e Kosovë – po të ndjekim analizën gramshiane – ndahet në këta vektorë: tribalizmi dhe klientelizmi lokalist i oligarkëve të politikës dhe të ekonomisë (paralel dhe tepër i ngjashëm me vasalitetin feudal e me tarafet e qëmotit); kontrolli thuajse tërësor i opinionit publik përmes mediave private që funksionojnë si armë ideologjike në dorë të të njëjtëve oligarkë; dhe shfaqja së fundmi e së djathtës religjioze, së cilës po i kushtojmë një paragraf të veçantë.

E djathta religjioze shtrihet në spektrin politik midis konservatorizmit dhe fashizmit. Partitë konservatore shqiptare (dhe s’po flas vetëm për parti të vogla) jo rrallë e kanë përfshirë fenë apo Zotin në sloganet e tyre elektorale, duke e renditur bashkë me kombin, familjen dhe shtetin. Duket si simbolike, por në fakt këto slogane janë thjesht çelja e derës për të djathtën religjioze. Në të njëjtën kohë, nuk dihet për ç’arsye, nën hundë të shtetit dhe në sytë e të gjithëve në Shqipëri e Kosovë për vite me radhë janë lejuar të operojnë fondacione me burime të njohura e të panjohura, ndër të cilat edhe ato të selefistëve apo vehabistëve, ideologjia e të cilëve është ngushtësisht e lidhur me fashizmin religjioz të shfaqur së fundmi nga SHI (Shteti Islamik). Origjina e kësaj ideologjie është klasa sunduese e Arabisë Saudite, një prej diktaturave më të rënda e më të errëta në globin e sotëm – paçka se sot Saudët i bashkohen Iranit (një tjetër diktaturë e rëndë religjioze), Assadit, SHBA-së dhe Rusisë në aleancën taktike kundër SHI-së. Arsyet se pse dhjetëra shqiptarë janë bërë pjesë e kësaj ideologjie janë disa – nga një anë zhgënjimi prej shteteve disfunksionale, falimentimit moral të politikës dhe drejtësisë shekullare, dhe doemos varfëria; nga ana tjetër indoktrinimi prej një predikuesi që ta kanë sjellë “te dera”. Edhe të rinjtë e popujve të tjerë që kanë rënë pre e së njëjtës ideologji kanë shkaqet e tyre (shkaqe që nuk përbëjnë arsyetim të vlefshëm, gjithsesi) – sirianët për shkak të mizorive të Assad-it, irakianët për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të Malikit (i cili detyroi Kushtetuesen t’i jepte të drejtën e mandatit të parë, edhe pse përballë kishte një koalicion plurireligjioz të moderuar që mbante shumicën e mandateve – duke çuar kështu Irakun në kaosin që favorizoi SHI-në).

Dhjetëra shqiptarët e përfshirë në këtë punë nuk mund të legjitimojnë etiketimin e shqiptarëve si fashistë apo terroristë. As sirianët nuk mund të etiketohen si të tillë, as irakianët dhe as arabët. Etiketat si islamo-fashizëm apo ekstremizëm islamist janë të gabuara, sepse përfshijnë një popull ku e ku më të gjerë sesa aktorët e fajshëm për fashizëm apo ekstremizëm. Janë po aq të gabuara, ta zëmë, sa etiketat që flasin për egërsinë shqiptare, lobin çifut, kriminalitetin zezak, apo brishtësinë femërore.

Por, për të ardhur në përfundim të shkrimit, duhet theksuar se si mafia, ashtu edhe përfshirja në organizata ekstremiste apo fashiste religjioze janë fenomene shqetësuese. Përshtypja ime është se asnjëri prej fenomeneve nuk do të ndalet dot thjesht përmes arrestimeve të të përfshirëve, pasi ata janë veç simptomat. Shkaqet që duhen eliminuar janë më thellë – kanë të bëjnë me nevojën e njerëzve për shpresë, për përfshirje, për drejtësi e për shoqëri funksionale ku ata të mund të jenë subjekt, e jo veç objekt i dëshirës së tjetërkujt. Pra të ndërtohet një alternativë ndaj mafies dhe ndaj fashizmit – kjo duhet të jetë detyra e shtetit modern. Mirëpo në dritën e liberalizmit cinik që sulmon çdo lloj komuniteti në emër të individualizmit kjo duhet të jetë diçka shumë e vështirë, siç tregojnë dhe zgjedhjet e fundit në Europë e gjetiu. Pamundësia për të ndalur shkaqet që prodhojnë fashizmin prodhon spektaklin mediatik me fshesë në dorë për të fshehur mbeturinat poshtë qilimit një herë në kushedi sa vjet.

Top Channel