Banka e Shqipërisë vëren së fundmi se ekonomia shqiptare ka ringjallje megjithëse brenda një mjedisi me shumë risqe. Ende nuk ka një analizë të plotë nëse rritja po vjen për shkak të vetë ciklit të ekonomisë dhe faktorëve të përkohshme sezonal apo se këtu ka ndikuar qeveria me disa ndërhyrje.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nuk i përjashton të dyja këto arsye, por rëndon argumentin tek politikat e reja të socialistëve të ardhur në qeveri pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar: “Tremujori i parë, në traditën e trajektores së zhvillimit, nuk do të duhej të ishte një tremujor i fuqishëm, por për shkak të punës që është bërë 6-mujorin e dytë të vitit 2013, stabilizimit të financave, përmirësimit të klimës së biznesit, pagesat e borxheve që janë bërë ndaj bizneseve, efekti i rritjes së të ardhurave të qytetarëve edhe për shkak të uljes së taksave dhe kryesisht të tatimit të të ardhurave personale, megjithëse remitancat janë ulur, konsumi shënon rritje për shkak të prodhimit dhe për shkak të rritjes së shërbimeve.”

Përveç risqeve që foli javën e kaluar Banka e Shqipërisë, ministri Ahmetaj evidenton një tjetër rrezik që lidhet me energjinë elektrike: “Situata energjitike është një risk më vete, është një situatë e rëndë e trashëguar dhe ka gati një vit që punohet me shumë intensitet për ta përmirësuar këtë situatë e tani operatori i shpërndarjes po bëhet gati për t’u ristrukturuar.”

Qeveria socilaiste e ka mbështetur programin e saj të rritjes ekonomike në dy burime bazë: bujqësia dhe turizmi. Por, këto sektorë, sipas analizave të specializuara qoftë edhe nga Banka e Shqpërisë, tregojnë se janë ende të paqendrueshëm. Arben Ahmetaj thotë se po punohet për stimulimin e tyre përmes paketave fiskale.

“Paketa e bujqësisë që do të lançohet në shtator do të ketë efektet e veta në vazhdimësi dhe shenjat tregojnë që turizmi ka një hop sasior dhe cilësor. Elementë që do të konsolidojnë rritjen ekonomike mbi 2%”, theksoi Ahmetaj.

Top Channel