Ukrainë nën sulm, Zelensky: Rusia po godet infrastrukturën civile dhe hekurudhore
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping pritet të zhvillojnë një nga takimet më të rëndësishme të viteve të fundit në Pekin, ndërsa bota ndjek me vëmendje rivalitetin mes dy superfuqive globale.
Vizita e Trump në Kinë, e para që nga viti 2017, vjen në një moment tensionesh të forta gjeopolitike, me luftën mes SHBA-së dhe Iranit që po dominon axhendën ndërkombëtare.
Fillimisht, samiti ishte menduar të fokusohej tek tregtia, tarifat dhe teknologjia, por konflikti me Iranin ka ndryshuar prioritetet e Uashingtonit. Trump pritet të kërkojë nga Xi Jinping ndikim mbi Teheranin për të shmangur përshkallëzimin e krizës dhe për të garantuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë.
Presidenti amerikan deklaroi para nisjes për në Pekin se planifikon një “bisedë të gjatë” me Xi për Iranin, por shtoi se SHBA-ja e ka situatën “nën kontroll”.
Nga ana tjetër, Kina hyn në takim me një pozicion më të fortë ekonomik dhe teknologjik krahasuar me vitet e para të luftës tregtare me SHBA-në. Pekini pritet të kërkojë lehtësim të kufizimeve amerikane ndaj teknologjisë kineze dhe më shumë akses për kompanitë e saj në tregun amerikan.
Një tjetër pikë e nxehtë mbetet Tajvani. Zyrtarët amerikanë druhen se Xi Jinping mund të përdorë situatën e vështirë të SHBA-së në Lindjen e Mesme për të kërkuar ulje të mbështetjes ushtarake amerikane ndaj Tajvanit.
Në axhendën e takimit do të jenë gjithashtu inteligjenca artificiale, tregtia, energjia dhe marrëveshjet ekonomike mes dy vendeve. Delegacionit amerikan i janë bashkuar edhe figura të njohura të biznesit si Tim Cook i Apple dhe Elon Musk i Tesla dhe SpaceX.
Pavarësisht tensioneve, të dy liderët duket se synojnë të shmangin përplasjen direkte dhe të ruajnë stabilitetin mes dy ekonomive më të mëdha të botës, në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme dhe kriza energjetike globale po shtojnë pasigurinë ndërkombëtare.
Top Channel