“Ndotja, Tirana kryeqyteti i Europës”

12/07/2014 00:00

Me një paragraf të parë kushtuar pritjes ende kumbuese në veshët e Perëndimit që iu bë Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në rrugët e Tiranës së vitit 1991, ilustrim i etjes së vendit të porsadalë nga komunizmi për të prekur realitetin e përtej kufijve, The Guardian nis një artikull të gjatë kushtuar atij që e përshkruan si njërin prej kryeqyteteve më të ndotura të Europës dhe përpjekjes ndoshta të pavetëdijshme për t’u shkëputur nga e kaluara e varfërisë dhe izolimit me një dashuri skllavëruese për makinat.

Automjeti, emblema e Tiranës, erdhi për prestigjozen britanike me një çmim të lartë: ajri në kryeqendrën e Shqipërisë është pak të thuhet mbytës. Çdo mëngjes në Rrugen e Dibrës, një rrip i këndshëm kafenesh e dyqanesh vishet në trishtim nga tymi i naftës së padjegur mire. Teorikisht, aty ekziston një korsi biçikletash, pjesë e përpjekjeve për ta lehtësuar disi ndotjen e madhe e për t’i bërë njerëzit t’i lënë makinat në shtëpi.

Në praktikë, thote The Guardian, këtë pjesë të rrugës e ke të mbushur me automjete të parkuara, me furgonë të shpërndarjes së porosive apo edhe njerëz që thjesht rrinë në këmbë duke tymosur ndonjë cigare në diell. Gati e pamundur të kalosh me biçikletë në këtë korsi, kujtesë të vazhdueshme e betejës së autoriteteve kundër ndotjes kronike të ajrit në kryeqytet.

Kur ra regjimi komunist, Tirana kishte vetëm 250.000 banorë, kujton The Guardian. Deri në 2004-n popullsia e saj ishte dyfishuar dhe në rrugë qarkullonin gati 300.000 makina, shumica Benz Mercedes të vjedhura në Europen Perëndimore. Niveli i grimcave kancerogjene në ajër ishte 10 herë mbi kufirin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vetë korrespondenti i gazetes prestigjoze Paul Brown e përshkruan si “kryeqytetin e Europës” përsa i takon ndotjes.

Një dekadë më vonë, gjërat pak kanë ndryshuar. Problemet e industrive përpunuese janë shmangur disi, por mania e makinave mbetet e njëjtë, ndërsa niveli i grimcave kanceroze është tre më i lartë se mesatarja europiane çka i ul me dy vjet pritshmëritë për jetëgjatësinë e banorëve.

Edhe pse e rrethuar me male, Tirana ka një prej hapesirave më të gjelbra, më të tkurrura se cdo qytet tjetër i rëndësishëm europian, vazhdon artikulli dhe pavarësisht fitoreve të vogla mbetet një vend i pistë për të jetuar.

Top Channel