Gjyqtarët, PS-LSI refuzojnë Nishanin

01/07/2014 00:00

Teksa drejtësia, veçanërisht pas aprovimit të statusit të vendit kandidat ka dalë në krye të detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë, institucionet në vend nuk arrijnë të gjejnë pikëtakimet konsensuale për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Prej disa muajsh procesi i emërimeve të tre gjyqtarëve të kësaj gjykate mbetet i bllokuar mes Presidentit dhe Kuvendit. Megjithëse janë konsumuar tashmë konsultimet e kreut të shtetit me krerët e grupeve parlamentare për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, për mazhorancen qasja e Presidentit ndaj këtij procesi mbetet larg detyrimit që Nishani ka për të zbatuar kompetencën e Kuvendit për dhënien e pëlqimit për dekretet e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Për këtë shkak dy grupet parlamentare të mazhorancës, PS e LSI i janë drejtuar Kreut të Shtetit me një letër të siguruar nga Top Channel, ku edhe njëherë ata i apelojnë Presidentit t’i përmbahet sipas tyre detyrimit ligjor për këtë proces, “duke sugjeruar në mënyrë të njëkohshme rihapjen e procesit të kandidimit  për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë”.

Deri në këtë sugjerim, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili mbërrijnë pasi i kanë parashtruar Presidentit një sërë argumentash ligjorë që sipas tyre duhet të mbahen parasysh nga Bujar Nishani në këtë proces.

Duke i risjellë në vëmendje Presidentit të Republikës vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tyre e detyron përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë përmes një bashkëpunimi luajal dhe institucional kushtetues mes Kuvendit dhe Presidentit, në letrën drejtuar Nishanit, krerët e grupeve të mazhorancës theksojnë se nga Presidenti “kërkohet një proces përzgjedhës bazuar në kriteret ligjore dhe jo në perceptimet personale e as në parapëlqimet politike”.

Konsultimet e deritanishme të Presidentit me krerët e grupeve parlamentare kanë shmangur diskutimin e kritereve shtesë bazuar në listën e kandidatëve siç detyrojnë ndryshimet ligjore, takimet e Presidentit kanë qenë formale dhe ata nuk janë njohur se cila është shkalla e plotësimit të kritereve objektive të secilit nga emrat që Nishani ka përzgjedhur theksohet në letër.

Të bindur se kandidaturat për Gjykatën e Lartë, duhet të përmbushin nivelin më të lartë cilësor, të bindur se korrupsioni i kudogjendur në strukturat shtetërore e vecanërisht në sistemin e drejtësisë, kërkon angazhimin e gjyqtarëve me integritet moral dhe profesional, thonë ndër të tjera Ruçi e Vasili, ata i kërkojne Presidentit të rishohë qëndrimin e tij në këtë proces.

“Në mënyrë që ai të mos mbetet peng i listave të mëparshme të kandidaturave”, sic theksohet në letër , mazhoranca kërkon rihapjen e kandidimit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ku në besimin e saj gjetja e figurave me integritet moral dhe profesional është çështje e Presidentit dhe po aq e përgjegjësisë së madhe kushtetuse, ligjore, morale e politike e Kuvendit.

Top Channel