Zgjedhja e shefave të pavionëve

12/05/2014 00:00

Komisioni i arsimit dhe medias me shumicë votash ka vendosur rikthimin e departamenteve në Universitetin e Mjekësisë, por nuk ka ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes së shefave të shërbimeve.

“Kemi rënë dakord me propozimet në komision, që të mos ketë ndryshime në bordin menaxhues të QSUT. Përgjegjësi i shërbimit të mos jetë shef departamenti, sepse departamenti ka peshën arsimore dhe shkencore, ndërsa shërbimi ka peshën e pacientit. Është mirë që këto të jenë të ndara”, deklaroi relatorja Mimoza Hafizi.

“Kemi departamentin, një stad më të lartë të propozimit të kritereve nga qeveria dhe në total konservojmë gjithçka të mirë që kemi deri më sot dhe hapim një garë që nuk prodhon ambicjet e dikujt, por fituesit”, tha relatori tjetër Petrit Vasili.

“Mjekësia ka vdekjen, jetën dhe paratë. Nëse do ketë një vdekje, atëherë do të duhet që autopsinë ta bëjë edhe klinika. Duhet të bëhet shpërndarja e punëve, e shërbimeve. Si t’ia bëjmë për shërbimin në Korçë, për shembull, që është zero”, deklaroi Ylli Zeçishti, deputet i PS.

Kërkesa e mëparshme e rektorit dhe kryetarit të Këshillit të Profesorëve të Universitetit të Mjekësisë, që shefat e departamenteve të përzgjidhen në bazë të kritereve me vendim qeverie dhe jo nga bordi, ku gjatë këtyre viteve shumë profesorë kanë emëruar veten, është hedhur poshtë.

Komisioni ka miratuar propozimin e kryetarit të grupit të LSI Petrit Vasili, i cili ka mbështetur idenë që shefat të përzgjidhen sërish nga bordi, i cili nuk duhet të ndryshojë.

Top Channel