Reforma jo vetëm e nevojshme, por e rëndësishme

12/05/2014 00:00

Pëllumb Karameta – Në kontekstin politik, arsimi nuk sjell përfitime në kohë reale.

Përfitimet prej tij shkojnë përtej mandatit të një qeverie, për t’u bërë të prekshme në të ardhmen. Çdo qeveri që përpiqet për begatinë e vendit të saj, e percepton reformë arsimore si mundësi të artë, përmes së cilës synon të forcojë lidhjet mes kapitalit njerëzor dhe rritjes ekonomike. Ndaj, nuk i kursen mjetet për të ndërtuar një projekt arsimor që rrit aftësitë konkurruese të kombit. Nëse vlerësohet si i tillë, investimi në arsim i shërben jetësimit të vizionit për një shoqëri dhe të ardhme më të mirë. Qasja e kundërt përfiton, pikërisht, nga pamundësia për t’i konstatuar përfitimet brenda një kohe të shkurtër. Me këtë u spekulua për vite të tëra, ndaj pjesa më e madhe e institucioneve arsimore, sot, nuk reflekton formimin që dëshirojmë, por cilësi të dobët, paqëndrueshmëri, ankth dhe stres, deri zënka dhe grindje për motive banale.

Në kontekstin e përgjithshëm, institucionet tona arsimore i detyrojnë nxënësit dhe studentët t’i përshtaten një kallëpi të vjetruar pedagogjik. Dhe nuk është vetëm individi që vuan nga trysnia e këtij kallëpi; është konceptimi i kurrikulës (përmbajtjet, organizimi i nxënies, vlerësimi etj.), formimi i mësuesve/pedagogëve, zhvillimi profesional, kërkimi shkencor etj., që i bëjnë të rinjtë të thyhen dhe të kërrusen për t’iu përshtatur kallëpit, me aq sa ata mund ta bëjnë këtë. Kushdo konstaton sot se elementet e logjikës së sistemit tonë i takojnë logjikës pedagogjike të shekullit të shkuar. Në sistem mbizotërojnë tekstet e shtypura. Tipike janë mësimet riprodhuese rutinë në mjedise, shpesh të mbipopulluara, pa mjete dhe burime që krijojnë situatat tërheqëse, argëtuese dhe të kuptueshme, pa teknika dhe strategji që nxitin veprimin, imagjinatën dhe inteligjencat e shumëfishta, kureshtjen dhe shpirtin e aventurës. Vendin e formimit të personit kompetent e ka zënë përcjellja e individit të paaftë. Ky kontekst ka sjellë mungesën e motiveve dhe të seriozitetit për të nxënë; ditën mësimore të mbingarkuar me elemente pa vlera; mungesën e përkushtimit dhe të vëmendjes; sjelljet e paqarta jo profesionale dhe pandjeshmërinë ndaj nevojave të nxënësve/studentëve, deri rastet e korrupsionit, të dhunës fizike/psikologjike dhe stresin nga vlerësimi i ulët; mungesën e llogaridhënies dhe, në mjaft raste, interesin e munguar të mësuesit, pedagogut dhe të institucionet arsimor ndaj subjektit dhe familjes së tij. Arsimi ynë përballet me një moment vuajtjeje të pashembullt. Të ashtuquajturat reforma të ndërmarra nuk mundësuan cilësinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

1.    Gjendja katastrofike e sistemit arsimor kushtëzon reformimin, njëherazi, të arsimit parauniversitar dhe atij të lartë. Pak ditë më parë, publiku u njoh me raportin e përgatitur nga komisioni i posaçëm, i mandatuar nga Kryeministri, për të reformuar arsimin e lartë. Të interesuarit mund ta arrijnë atë në http://ëëë.kalksh.org. Me statusin e një libri të gjelbër, raporti shtjellon vizionin dhe kolonat mbi të cilën po projektohet reformimi i institucioneve të arsimit të lartë, publik e privat. Të interesuarve u ofrohet, kështu, mundësia konkrete për të qenë pjesë e debateve dhe e këmbimit të mendimeve për reformën universitare, qëllimi kryesor i së cilës është rritja e cilësisë në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor.

Publiku, gjithashtu, është njohur me prurjet e para të reformës së arsimit parauniversitar. Përmend këtu draftin e kornizës së re kurrikulare, që po diskutohet, e cila sugjeron një strukturë më efikase të sistemit parauniversitar dhe një kurrikul bashkëkohore, në pajtim të plotë me elementet gjegjëse të Republikës së Kosovës dhe ato europiane. Në ditët në vijim, publiku do të informohet për konfigurimin e komponentëve të tjerë (sigurimi i cilësisë, zhvillimi i burimeve njerëzore në arsim etj.).

Përkimi në kohë i të dy reformave, krahas sfidave dhe vështirësive tejet të mëdha, ofron mundësi për një qasje revolucionare koherente dhe gjithëpërfshirëse mbarë sistemike.

2.    Gjendja katastrofike e arsimit kushtëzon reformimin rrënjësor të sistemit, së pari dhe mbi të gjitha, të kurrikulave të tij. Reformat arsimore kanë në zemrën e tyre reformimin e kurrikulave. Kurrikulat bashkëkohore (të arsimit parauniversitar dhe të lartë) e kanë zhvendosur theksin nga nxënia e dijeve të teksteve, te kompetencat kyçe dhe të veçanta që ndërtojnë dhe përdorin personat në nivele të ndryshme të sistemit. Në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Harvardit, p.sh., ekziston kaherë rindërtimi i gjykatës ku studentët simulojnë gjyqe me dosje nga raste reale. Ndërsa studentët tanë të Mjekësisë, vitin e shkuar, u ankuan publikisht se nuk bënin dot një injeksion. Ndaj, për të parë tablonë arsimore, ne kemi nevojë për metaforat e reja, për “lente” të reja, të ndryshme nga ato të dekadave të shkuara. Në vend që të përpiqemi t’i dendim nxënësit/studentët me dije, për të cilat mund të mos kenë nevojë ndonjëherë, ne duhet të ndërtojmë kompetencat e personave për të punuar me të tjerët dhe për të prodhuar njohuri të reja që zgjidhin probleme të mirëfillta jetësore. Për arsye si këto, ne duhet të jetësojmë zhvendosjen revolucionare nga memorizimi i dijeve enciklopedike si qëllim, drejt kompetencave gjithëpërshkuese që i aftësojnë nxënësit/studentët të trajtojnë plotësisht situatat reale. Kjo, tashmë, është çështje e shtruar për zgjidhje. Në të kundërtën, arsimi (publik & privat), i perceptuar sipas linjave të vjetruara të transmetimit të përmbajtjeve disiplinore, le pak shpresa për të përmirësuar të ardhmen e personave, pavarësisht dëshirave apo argumenteve që mund të formulohen. Këndej, mund të kuptojmë se, në vitet që vijnë, profesionistët që nuk nxënë gjatë gjithë jetës, nuk do të gjejnë punë; organizatat arsimore që nuk nxënë vijimësisht, nuk do të mbijetojnë; shkollat, kolegjet dhe universitetet që nuk do venë në qendër nxënësit/studentët, pra, që nuk plotësojnë nevojat e tyre, nuk do mund të regjistrojnë më të rinj, pavarësisht përmirësimeve që mund t’u bëhen sistemeve të rekrutimit, të sigurimit të cilësisë, të administrimit etj.

Të jemi të vetëdijshëm, sot më shumë se kurrë: reformimi i arsimit nuk është vetëm i nevojshëm; ai është thelbësisht i rëndësishëm. Të rejat dhe të rinjtë duhet ta përjetojnë institucionin arsimor si mjedisin që shton dëshirën për të ecur më tej, sepse të pajis me njohuri, me vlera dhe me kompetenca që vlejnë në vitet që vijnë. Ne duhet të pranojmë që, nëse nuk reformojmë sistemin, do të zhgënjejmë jo vetëm veten, nxënësit dhe studentët, por edhe brezat e ardhshëm që do të konkurrojnë në një botë të ndërkombëtarizuar. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për reformën, ndaj është e dëmshme t’i dorëzohemi konservatorizmit arsimor. Gjeneratat e reja kërkojnë një arsim që i përgatit për kohët kur fushat e betejës do të kthehen në fusha tregtare, kur mendjet do të kthehen në hapësira idesh, kur hapësira arsimore shqiptare të mosdiskriminohet, por të ndajë me hapësirën europiane të njëjtat kualitete, vlera dhe qëndrime.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA