E akuzuar për evazion fiskal, ylli francez i filmave Isabelle Adjani dënohet me 10 muaj burg dhe gjobitet 10 mijë euro Përpos violinistit, Tedi Papavrami vjen për publikun shqiptar në një tjetër version. Kësaj here në atë të shkrimtarit, për të prezantuar librin e tij “Fugë për violinë”.
Një titull, me sa duket, me sens të dyfishtë për autorin. Fuga, “arrati” nga latinishtja. Në sensin muzikor, arrati e temave të fugës, të cilat i japin dëgjuesit ndjesinë e një largimi të vazhdueshëm dhe ikja nga Shqipëria e Tedi Papavramit dhe familjes së tij, larg sistemit të kohës komuniste.
Ky libër, pas botimit të tij në frengjisht, vjen në shqip nga përkthyesja Blerta Hyska.
“Ajo që i interesonte botuesit francez ishte veçantia e jetës sime për sa i përket fillimit, vitet e para në Shqipëri dhe ikja në Francë, në një kohë që Shqipëria ishte shumë e mbyllur. Ishte një pjesë zhgënjimi në fakt dhe një ndjesi frike, sepse ishte një ndërrim kaq i beftë nga sistemi në të cilin kisha jetuar, megjithëse u mësova shumë shpejt me të, por fillimisht ishte si një goditje e madhe, sikur kthehen gjërat përmbys brenda 1 sekonde”, shprehet Tedi Papavrami, autor i “Fugë për Violinë”.
“Një libër, që mbart mesazhe domethënëse për të rinjtë, që duan të ecin përpara”, është për redaktoren e tij Ajola Xoxa.
“Përmes këtij libri, çdo i ri shqiptar që do të ketë mundësi ta lexojë, do të kuptojë se për t’u bërë i suksesshëm apo i famshëm prej vërteti dhe për të qenë i stabilizuar në profesion dhe karrierë, në fakt duhet jashtëzakonisht shumë punë e disiplinë, dhe se talenti nuk mjafton gjithmonë”, deklaroi Ajola Xoxa, redaktore e “Fugë për Violinë”.
Një tjetër lidhje me letrat e Papavramit është edhe ajo si përkthyes nga shqipja në frengjisht i librave të Kadaresë. E duke iu rikthyer muzikës, të martën dhe të mërkurën do të ngjitet në skenën e TKOB me dy koncerte të ndryshme, me pjesë nga Johann Sebastian Bach, kompozitorit gjerman që – sipas Tedi Papavramit – muzika e tij e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Top Channel