Disney zbulon X-Men e rinj/ Rikthehen superheronjtë, Pixar njofton vazhdimet e filmave

16/08/2026 12:42

Disney ka prezantuar kastin e filmit të ardhshëm “X-Men”, si dhe një seri vazhdimesh të prodhimeve të njohura, gjatë eventit D23 në Kaliforni.

Drejtuesi i Marvel Studios, Kevin Feige, u prezantoi më shumë se 10 mijë fansave pamjet e para nga filmi, ende pa titull, i cili pritet të shfaqet në maj të vitit 2028.

Sadie Sink do të interpretojë Jean Grey, rol që do ta luajë fillimisht në “Spider-Man: Brand New Day”, ndërsa Inde Navarrette do të jetë Rogue. Në kast përfshihen Kit Connor në rolin e Cyclops, Samara Weaving si Emma Frost, Christopher Abbott si Profesor Xavier dhe Maya Boyd si Storm.

Adam Driver do të luajë antagonistin Nathaniel Milbury. Aktori tregoi se prej vitesh kishte biseduar me Feige për mundësinë e përfshirjes në Universin Kinematografik Marvel.

Në D23 u shfaqën gjithashtu pamje nga “Avengers: Doomsday”, i cili pritet të dalë në kinema në dhjetor dhe do të bashkojë Avengers, Fantastic Four, X-Men dhe luftëtarët e Wakandës kundër Doctor Doom, të interpretuar nga Robert Downey Jr.

Disney prezantoi gjithashtu Ryan Gosling në filmin “Star Wars: Starfighter”, i cili pritet të shfaqet në vitin 2027, kur shënohet 50-vjetori i sagës “Star Wars”.

Pixar zbuloi pamje nga “Gatto”, “Ghost Market”, “The Incredibles 3” dhe “Coco 2”.

Mes vazhdimeve të tjera të njoftuara janë “Lilo & Stitch 2”, “Ice Age: Boiling Point” dhe “Frozen 3”.

Regjisori Jon Favreau prezantoi gjithashtu “Oswald the Lucky Rabbit”, një miniserial që do të transmetohet vitin e ardhshëm në Disney+.

Personazhi Oswald, i krijuar në vitin 1927, i parapriu Mickey Mouse-it.

Eventi treditor D23 përfundon të dielën.

Top Channel