Ariana Grande nisi mbrëmjen e kaluar koncertin 10-ditor në Arenën O2 në Londër, në një koncert emocional që shënoi edhe ndalesën e fundit të turneut Eternal Sunshine.
Shfaqja nisi me hyrjen spektakolare të artistes, ndërsa skena u transformua vazhdimisht përmes një produksioni të madh vizual. Skenografia përfshinte një shtëpi të rrënuar, ndriçime që shndërroheshin në një helikopter policie dhe video ndërmjet akteve, duke i dhënë koncertit një atmosferë kinematografike.
Një pjesë e videove përfshinte edhe referenca nga The Wizard of Oz, të lidhura me rolin e saj në filmat Wicked.
Ariana Grande u përqendrua kryesisht te albumi Eternal Sunshine i vitit 2024, por Grade performoi edhe disa këngë nga albumi i saj i fundit Petal, së bashku me hitet “Into You”, “Thank U, Next” dhe “7 Rings”. Një nga surprizat ishte edhe interpretimi i “Rain On Me” të Lady Gaga-s.
Por momenti më emocional erdhi në fund të koncertit. Grande falënderoi publikun londinez dhe tha se fansat ishin “padyshim më të zhurmshmit” e turneut deri tani. Ajo u shpreh se ishte shumë mirënjohëse për dashurinë dhe mbështetjen e tyre, duke theksuar se këto 10 koncerte në Londër janë ndalesa e fundit e turneut.
Koncerti vjen në një moment të rëndësishëm për këngëtaren, pasi ajo ka konfirmuar se pas këtij festivali 10-ditor do të tërhiqet përkohësisht nga jeta publike, duke përmbyllur një kapitull të suksesshëm në karrierën e saj. Grande ka theksuar se ky vendim nuk është impulsiv, por një zgjedhje e menduar mirë. Ajo gjithashtu është tërhequr nga produksioni i ardhshëm i Sunday in the Park With George në Londër.
Top Channel