Ekonomia e kërcënuar nga borxhet

12/05/2014 00:00

Ministria e Financave lëshon alarmin se Shqipëria është e kërcënuar nga risku i lartë i borxhit publik. Në programin ekonomik fiskal për periudhën 2014-2016, ekspertët e ministrisë evidentojnë se pikë së pari rreziqet lidhen me strukturën problematike të borxhit, ku një pjesë e madhe e tij përbëhet nga huamarrja e brendshme afatshkurtër.

Kjo e vendos qeverinë përballë presionit të vazhdueshëm për të gjetur sasi të mëdha likuiditeti në treg për rifinancimin e borxhit, përkatësisht deri në 314 miliardë lekë në vit. Por ky nuk është rreziku i vetëm.

Sipas dokumentit, edhe borxhi i jashtëm ka një sërë risqesh, që lidhen jo vetëm me kursin e këmbimit por edhe me një arsye tjetër, atë të ripagesave.

Shumë nga borxhet e marra në vitet e para të tranzicionit tashmë janë maturuar dhe duhet të shlyen mbrapsht. Në vitin 2008, ripagesat ishin vetëm 0.39 për qind e prodhimit kombëtar.

Vitin e kaluar ato arritën në 0.94 për qind, ndërsa për dy vitet e ardhshme Ministria a Financave vlerëson se shlyerja e kredive të tranzicionit do të marrë nga buxheti deri në 1.6 për qind të prodhimit kombëtar.

“Në këtë mënyrë, vlerësimet e riskut tregojnë rëndësinë e uljes së borxhit, përndryshe efektet negative financiare do të jenë të mëdha duke shkaktuar pagesa të larta për buxhetin”, vlerësojnë ekspertët e Ministrisë së Financave.

Deri para vitit 2007, Shqipëria e kishte vendosur borxhin publik në një trajektore rënëse. Por pas 2007-s tendenca u përmbys dhe në 5 vjet borxhi u rrit me ritme shpërthyese mbi 15 për qind e prodhimit kombëtar, një pjesë e të cilit u mbajt e fshehtë.

Për shkak të rritjes së fortë, në fund të vitit të kaluar borxhi total i vendit arriti në mbi 9.5 miliardë dollarë, ose 70.4 për qind e ekonomisë kombëtare.

Top Channel