Aprovohet projektligji i legalizimeve

12/05/2014 00:00

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi mes debatesh projektligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje që do të shkojë në Parlament këtë të enjte.

Opozita votoi kundër duke deklaruar se asnjë nga amendimet kryesore të saj nuk u mor parasysh. “Shumë shpejt i bëtë hasha të gjitha premtimet.

Dhe ne thamë t’ju sugjerojmë me urtësi që, kujtojini këto premtime dhe mundohuni t’i realizoni. Vota jonë s’mund të mos jetë ‘jo’, përsa kohë ju as premtimet tuaja s’doni t’i mbani”, deklaroi deputeti i PD, Genc Ruli.

Demokratët kërkuan që të ardhurat e arkëtuara nga kalimi i të drejtës së pronësisë së objekteve të shkojnë në masën 100% në fondin e kompensimit të ish-pronarëve dhe jo një pjesë për kryerjen e proçedurave nga ALUIZN-i.

Kurse masa e pagesës me bono thesari të mos ulet deri në 30%, por të rikthehet siç ka qenë në masën 70%. Por për kryetarin e komisionit Eduard Shalsi, vota kundër e opozitës është qëndrim kundër procesit në tërësi.

“Megjithëse keni humbur zgjedhjet, keni qenë 8 vjet në pushtet dhe dështuat me legalizimet, edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë falje kërkuar shqiptarëve”, deklaroi Shalsi.

Shalsi tha se procesi do të monitorohet dhe përfaqësues të ALUIZN-it do të raportojnë herë pas here për ecurinë e tij. Ndërsa vetë kreu i ALUIZN-it tha se legalizimet do të përmbyllen ashtu siç është premtuar.

“E para, ne do t’i bëjmë legalizimet. E dyta, proçedurat dhe gjithçka tjetër është falas. E treta, qytetarët do të paguajnë shumë më pak nga sa kanë paguar deri tani”, deklaroi Artan Lame.

Top Channel