Bill Gates para Kongresit për çështjen Epstein, mohon akuzat dhe kërkon transparencë
20 vjet pas genocidit në Ruanda, historia përsëritet në tragjedinë siriane.
Atëherë, ashtu si dhe tani, indiferenca, paaftësia dhe zvarritjet kanë nxjerrë në pah mangësitë e OKB-së dhe standardet e dyfishta të Perëndimit. Si të mos kishim mësuar asgjë nga e kaluara, thonë analistët politikë.
Në 1994-ën, bota e la në harresë Ruandën, e shqetësuar më tepër nga dështimi i ndërhyrjes në Somali, nga kriza në ish-Jugosllavi, apo e mbërthyer nga gjyqi i famshëm i OJ Simpsonit.
Sot, bota po bën një sy “të verbër” para Sirisë, e fokusuar te ndërhyrja e dështuar në Irak, kriza e Ukrainës, apo me vëmendjen te procesi gjyqësor i Oscar Pistorius-it. Ka dhe një element shtesë, për hir të së vërtetës: misteri i avionit të zhdukur malajzian.
Vetëm se, ndryshe nga Ruanda, ku genocidi shfarosës zgjati 3 muaj, në Siri konflikti i përgjakshëm shkoi 3 vjet. Përgjatë gjithë kësaj kohe, njerëzit u bombarduan me lajmet e tmerreve në këtë vend: mbi 100,000 të vdekur, miliona të shpërngulur, masakra që nuk kanë fund, përdhunime, ekzekutime sistematike, pa përjashtuar edhe fëmijët e mitur. Forcat e regjimit të Bashar al-Assad treguan se janë të afta për të gjitha këto.
E pra, Siria nuk ishte një vend i botës së tretë, por një shtet arab modern, ku deri pak kohë më parë lulëzonte sofistikimi, kultura e sqima.
“Nuk e mendonim kurrë se do të vinte kjo ditë, – tha me keqardhje për “the Guardian” një aktivist në kryeqytetin e revolucionit, Homs, nga ku rebelët nisën të tërhiqen, si pjesë e marrëveshjes me qeverinë. – Luftuam kaq shumë e për një kohë tepër të gjatë, por askush nuk na erdhi në ndihmë. Na lanë vetëm në përpjekjen tonë”, shton ai.
Disa vëzhgues janë të bindur se Barack Obama-n nuk e shqetësojnë shumë ekstremistët e rinj sirianë. Siria, nga ana tjetër, nuk është ndonjë prodhues i rëndësishëm nafte, nuk ndodhet në Europë, nuk përbën rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Atëherë, përse të ndërhyhet në konflikt? Vetëm tani, që tensionet mes Amerikës dhe Rusisë janë përshkallëzuar ndjeshëm, ekspertët pretendojnë se Uashingtoni e ushqeu rebelimin kundër Assad-it për të goditur interesat e Putin-it në Siri, e po të jetë vërtet kështu, fuqia e politikës globale, rrallëherë do të dëshmohej kaq cinike sa tani.
Top Channel