Ligji për arsimin e lartë

07/05/2014 00:00

Drafti i parë për reformën në arsimin e lartë ka nisur të diskutohet me dekanë, pedagogë dhe studentë në universitetet publike. Disa nga pikat kyçe mbeten financimi, rritja e cilësisë, por edhe e autonomia e universiteteve.

“Kemi sugjeruar një pavarësi, që të reduktohet ndërhyrja e shtetit sa më shumë në arsimin e lartë”, deklaroi profesor Arjan Gjonçaj.

“Çështja e ngarkesës është e para dhe e dyta, ajo duhet të jetë e ndarë mes asaj mësimore dhe kërkimore”, sugjeroi ndërkohë profesor Edmond Haderi.

“Unë jam i mendimit që të detyrohen të gjitha universitetet që të futen brenda të njëjtit shabllon. Të kenë të drejtën të vendosin se cili është programi më i mirë”, tha më tej Ervin Demo, zv.rektor i Universitetit të Tiranës.

Financimi mbetet një pikë kyçe, pasi kjo do të bëjë që të ketë më pak mësimdhënie në teori dhe më shumë kërkim shkencor, si dhe t’i japë fund dypunësimit të pedagogëve.

Ky draft i parë synon të rrisë autonominë e universiteteve dhe të ketë më shumë përgjegjësi nga stafi akademik. Pedagogët e Universitetit Politeknik kanë ngritur pikëpyetje nëse duhet të vijojnë me skemën e Bolonjës, e cila për shumë prej tyre nuk është shumë efikase.

Top Channel