Ulja e normës godet kursimet

03/05/2014 00:00

Në fillim të vitit 2012 kur ekonomia u zhyt në një valë të dytë
ngadalësimi, banka e shqipërisë nisi të lehtësonte me shpejtësi
politikën monetare, duke e shtyrë atë drejt ekstremeve të pashënuara
ndonjëherë.

Përmes disa uljeve të njëpasnjëshme, norma bazë e interesit ra nga 4.5 për qind që ishte dy vjet më parë, në 2.75 për qind në fillim të këtij viti. Ky është niveli më i ulët historik i kostos së lekut, i cili mbi të gjitha ka dhënë një rezultat. Lehtësimin e qeverisë duke ulur kostot e borxhit që ajo merr në tregun e brendshëm.

Për borxhin njëvjecar, interesi është ulur me më shumë se dy herë nga 7.1% që ishte në janar të 2012-ës në 3.45 për qind pak ditë më parë. Të njëtën tendencë kanë ndjekur edhe interesat për afatet e tjera të maturimit. Kjo ka bërë që megjithë rritjen e fortë të borxhit në dy vitet e fundit, shuma e interesave që qeveria shpenzon për ta shërbyer atë të mbetet e pandryshuar duke kursyer taksapaguesit. Por kjo politikë nuk ka vetëm të fituar.

Ka dhe një grup jo të vogël, që po humbet. Këta janë qytetarët që kursejnë, të cilët sipas bankës botërore përbëjnë gjysmën e popullsisë. Të ardhurat që ata fitojnë nga kursimet, sot janë 2.5 herë më të ulëta se vitin e kaluar dhe disa herë më pak se dy apo tre vjetë më parë. Por përtej kësaj, ulja e fortë e interesave ka dhe një tjetër rrezik. Atë të nxitjes së tregut informal të financave, ku qytetarët në kërkim të interesave më të larta mund ti kanalizojnë kursimet e tyre në investime të rrezikshme jashtë sistemit bankar.

Top Channel