Trazira në lindje të Ukrainës

02/05/2014 00:00

Më shumë se 40 vetë kanë vdekur pas një zjarri në një ndërtesë qeveritare, në qytetin e Odessa-s në jug-perëndim të Ukrainës, bëri të ditur policia, duke e lidhur ngjarjen me përshkallëzimin e tensioneve me separatistët pro-rusë.

Viktimat u shënuan pas një përleshjeje të protestuesve pro-rusë me mbështetës të qeverisë ukrainase në qytet. Zyrtarët thanë se shumë persona u asfiksuan, ndërsa të tjerë vdiqën pasi u përpoqën të hidheshin nga katet e ndërtesës.

Zjarri shpërtheu në Dhomën e Sindikatës së Tregtisë, në Odessa, bëri të ditur zyra rajonale e ministrit të Brendshëm ukrainas. Megjithatë, ajo nuk dha informacione se si kishte shpërthyer zjarri.

Më herët, shumë rebelë janë vrarë, qindra janë plagosur e të tjerë janë arrestuar
në operacionin në shkallë të gjërë të ushtrisë ukrainase për të rimarrë
nën kontroll qytetin e Slovianskut në lindje të vendit.

Kështu deklaroi Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov. Në një deklaratë për mediat ai tha se operacioni vazhdon, megjithëse shtoi “jo me shpejtësinë me të cilën ishte parashikuar”.

Ndërkohë, Rusia kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara. Moska njoftoi se nuk njeh më marrëveshjen e Gjenevës të arritur mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Bashkimit Europian dhe autoriteteve të përkohëshme të Kievit.

Marrëveshja synonte uljen e tensioneve. Moska u zotua se do të ndikojë në çarmatosjen e grupeve të armatosura separatiste në lindje të Ukrainës, ndërsa Kievi të grupeve ekstremiste dhe se nuk do të ndërhynte me forcë në Lindje.

Një zëdhënës i presidentit rus, Valdimir Putin deklaroi se marrëveshja e Gjenevës për uljen e tensioneve në lindje të Ukrainës nuk ekziston më, pasi Kievi ka nisur një operacion ushtarak në shkallë të gjërë në qytetin e Slovianskut në lindje të vendit.

“Në kohën kur Rusia po përpiqet të ulë tensionet dhe të shmangë
konfliktin, regjimi i Kievit ndërmerr një sulm ushtarak ndaj një qyteti
paqësor. Një operacion ndëshkimor që praktikisht shkatërron të gjitha
shpresat dhe mundësitë për zbatimin e marrëveshjes së Gjenevës”,
deklaroi Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit Putin.

Në deklaratën e përbashkët të firmosur në fund të bisedimeve, u bëhet
thirrje grupeve të armatosura të ulin armët dhe të lirojnë godinat
qeveritare në këmbim të amnistisë. Por që prej nënshkrimit të
marrëveshjes, Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëra-tjerën për moszbatimin e
saj.

Ushtria ukrainase nisi sulmin në orët e para të së premtes për të rimarrë nën kontroll qytetin lindor që mbahet nga milicia e armatosur pro-ruse. Ministri i Mbrojtjes Arsen Avakov deklaroi se ushtria ka marrë nën kontroll nëntë postoblloqe që formojnë një unazë në periferi të qytetit. Rebelët e mohojnë një fakt të tillë.

Dy helikopterë ukrainas janë rrëzuar nga separatistët dhe si media ukrainase ashtu edhe ajo ruse njoftojnë se pilotët e tyre janë vrarë. Një zyrtar i lartë sigurisë ukrainase tha për mediat se njëri prej helikopterëve është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, që nënkupton sipas tij, se separatistët e armatosur në lindje nuk janë thjesht ‘qytetarë që kanë armatosur veten’, ashtu sic pretendon Moska.

Katër prej atyre që qëlluan kundër helikopterit janë kapur, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në Kiev, por kreu i lëvizjes separatiste, Vyachslav Ponomaryov mohoi një fakt të tillë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ndërmarrë një seri sanksionesh ndaj Rusisë që godasin personat dhe kompanitë pranë Putinit. Të mërkurën, Ministria e Jashtme ruse akuzoi autoritetet ukrainase se kanë aktivizuar grupet e ekstremit të djathtë dhe të huaj anglisht-folës, për të cilët Moska thotë se janë mercenarë amerikanë.

“Ashtu sic kemi deklaruar edhe më parë, përdorimi i ushtrisë kundër popullit të vet është krim, një krim që po e con Ukrainën drejt katastrofës”, thuhet në deklaratë.

Obama-Merkel: Sanksione të tjera Rusisë
Presidenti amerikan dhe kancelarja gjermane pro ashpërsimit të sanksioneve

Presidenti amerikan Barack Obama priti të premten në një vizitë zyrtare kancelaren gjermane Angela Merkel, në të parën vizitë të kësaj të fundit në SHBA, që pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve.

Vendin kryesor në konferencën e përbashkët për shtyp e zuri kriza e Ukrainës dhe përkeqësimi i situatës në rajonet lindore, ku separatistët pro-rusë dhe forcat ukrainase janë përballur prej ditësh për të siguruar kontrollin e tyre. Presidenti Obama bëri thirrje ndaj Rusisë të influencojë ndaj grupeve ushtarake pro-ruse në Ukrainë të tërhiqen pas dhe dënoi gjithashtu mbajtjen nga milicia të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, në Uashington, së bashku me Angela Merkel, ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë në një mendje për t’i shtuar kostot Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë. “Do të vendosim sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit nuk ndryshon kursin e mbajtur deri më tani dhe nëse vijon ta destabilizojë situatën në Lindje të Ukrainës”, tha Obama, duke shkuar edhe më tej me paralajmërimin se “nëse Rusia ndërhyn në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës, sanksionet e reja do të prekin edhe sektorë të rëndësishëm si energjia, armët dhe institucionet financiare e kreditore të Rusisë”.

Me të njëjtin qëndrim u shfaq edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ndër të tjera tha se “do të kalojmë në fazën e tretë të sanksioneve nëse situata nuk stabilizohet përpara zgjedhjeve të 25 Majit në Ukrainë, kjo kundër dëshirës sonë, por për shkak se është më se e nevojshme”.

Së bashku me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Merkel u shpreh se “zgjidhja diplomatike” është preferenca kryesore e Perëndimit për krizën ukrainase, por nëse diçka e tillë nuk bëhet e mundur, atëherë “ne do të jemi të gatshëm për të vepruar me shpejtësi” për të frenuar një ndërhyrje tjetër të Rusisë në Ukrainë.

Kancelarja gjermane Merkel tha se takimi i 12 Majit, i Ministrave të Jashtëm të BE-së, do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e përgjigjes për Rusinë.

Në konferencën e përbashkët mes tyre u diskutua edhe mbi programet e survejimit të NSA-së, teksa të dy vendet janë angazhuar që t’i diskutojnë së bashku “diferencat e opinioneve” të tyre mbi përgjigjet për sigurinë ndërkombëtare. Obama u shpreh i mërzitur që këto zbulime ndikuan ndjeshëm në marrëdhëniet me Gjermaninë, por tha se “ndajmë me aleatët tanë të gjitha hapat e ndërmarra deri tani për zgjidhjen e çështjes dhe për të treguar marrjen e përgjegjësisë nga ana jonë”.

Megjithatë, presidenti Obama theksoi se “SHBA-të nuk kanë asnjë marrëveshje të shkruar apo të dakordësuar me ndonjë vend në botë, që ndalon përgjimet ndërkombëtare për arsye sigurie”.

Top Channel