Tensionet në Lindjen e Mesme, Presidenti iranian bën thirrje: Irani dhe SHBA-të duhet të shkojnë përtej termit “as luftë as paqe”

10/06/2026 13:06

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani dhe Uashingtoni duhet të dalin nga gjendja e “as luftës dhe as paqes” dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.

Sipas mediave iraniane, Pezeshkian tha se alternativa e vetme për tejkalimin e tensioneve aktuale është negociata, duke theksuar se udhëheqja iraniane ka mbështetur vazhdimin e bisedimeve me SHBA-në. “Nëse nuk angazhohemi në dialog, atëherë cila është alternativa?”, deklaroi presidenti iranian.

Ai shtoi se udhëheqja e vendit ka kërkuar vazhdimisht zgjidhjen e situatës së krijuar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara përmes rrugëve diplomatike.

Deklaratat vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara, pavarësisht armëpushimit të arritur më 8 prill. Teherani ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për shkelje të armëpushimit, ndërsa Uashingtoni ka vijuar sulmet ndaj objektivave iraniane.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar disa herë se një marrëveshje me Iranin është afër, megjithëse deri tani nuk ka shenja konkrete për një përparim të rëndësishëm në negociata.

Top Channel