Si të shpëtoni një marrëdhënie që po shkon drejt fundit? Terapistët zbulojnë shenjat dhe mënyrat për ta rindërtuar Nuk ndodh rregullisht që Pashkët katolike dhe ato ortodokse të përkojnë në të njëjtën ditë, e kjo për faktin e thjeshtë se kishat mbështeten në kalendarë të ndryshëm.
Ajo ortodokse orientohet sipas kalendarit Julian; katolikët dhe protestantët ndjekin kalendarin Gregorian, një llogaritje e kohës e paraqitur nga Papa Gregor i XIII, në shekullin e 16, e që përdoret sot kudo në botë.
Pavarësisht dallimeve të tilla, origjina dhe rëndësia fetare e Pashkëve mbetet e njëjtë për të gjithë të krishterët.
Si Kisha e Lindjes, ashtu dhe ajo e Perëndimit e konsiderojnë këtë javën më të shenjtë të vitit, eventin që kujton momentin e kryqëzimit të Krishtit në të premten e zezë dhe ringjalljen e tij të dielën e Pashkëve, e cila këtë vit kremtohet më 20 Prill.
Zanafilla e krishtërimit nis nga Pashkët, sepse në qendër të tyre qëndron ringjallja e Jezusit dhe vetë thelbi i besimit të krishterë; simboli i jetës së përjetshme, sipas përfytyrimit kristian.
Krishti nuk ka vdekur vetëm si njeri, por si njeri Zot, ai e ka mundur vdekjen në vdekje, duke e kapërcyer atë, dhe ky është kuptimi kryesor i Pashkëve.
Historikisht, si pararendëse e këtij kremtimi konsiderohet festa hebreje “Pessah”, e kjo është arsyeja pse në kishat lindore haset shpesh me emrin “pasha”. Sipas traditës, hebrenjtë festojnë në këtë ditë faktin që Perëndia e udhëhoqi popullin e tij të dalë nga skllavëria në Egjipt, duke e çliruar nga vargonjtë e shfrytëzimit.
Para largimit nga Egjipti, Zoti kërkoi që dyert e çdo familjeje hebreje të lyheshin me gjakun e qengjave të therur. Kudo ku kjo nuk ndodhi, u vranë fëmijët e parë, një ndëshkim për familjet egjiptiane dhe arsyeja përse sot të gjitha vezët ortodokse të pashkëve janë të kuqe.
Top Channel