Niveli i ndotjes në Tiranë kapërcen normat e Bashkimit Europian me mbi 20-30%.

Matjet më të fundit janë bërë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në Rrugën e Durrësit, ku pranë Ministrisë së Mjedisit është instaluar një stacion monitorimi, por dhe në Rrugën ‘Sami Frashëri’, ku ndodhet Agjencia e Mjedisit, çka dëshmojnë për nivel të lartë të ndotjes së ajrit nga grimcat e pluhurit.

Tirana prej vitesh ka rezultuar e ndotur, një nga faktorët që ndikon janë ndërtimet e shumta pa kriter, pa respektuar normat elementare të ndërtimit, si për shembull rrethimi i ndërtesës ku punohet. Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe trafiku i rënduar, por edhe mënyra klasike e pastrimit të qytetit, me fshesa.

Mbi këtë çështje ka folur shefi i departamentit të mjedisit në ISHP, Arben Luzati.

TCH: Cili është risku për shëndetin e qytetarëve në Tiranë si pasojë e ndotjes?

Arben Luzati: Në qoftë se ajri është i ndotur patjetër që ka një risk të lartë në shëndetin e qytetarëve. Organizatës Botërore të Shëndetësisë së fundi, në sajë të ekspertizës së saj, ka bërë të ditur se edhe nëse ndotja është nën normat që ajo ka publikuar ka rrezikshmëri për t’u sëmurur. Kryesisht ajri i ndotur ndikon në 3 sisteme, në atë kardiovaskular, në sistemin respiratorë dhe së fundi agjencia internacionale për studimet në kancer në raportin e saj ka theksuar se ndotja e ajrit nga grimcat e vogla shkakton edhe kancer.

TCH: Por si ndikon PM10 në 3 sëmundjet që ju përmendët?

Arben Luzati: Thithja e ajrit të ndotur kryesisht ndikon në infarktet e zemrës në rritje të tensionit, në vështirësi në frymëmarrje, në acarimin e azmave. Kohët e fundit OBSH-ja ka supozime se ndotja e ajrit është e lidhur edhe me zhvillimin neurologjik, me lindje të parakohshme si edhe me diabetin.
 
TCH: Sa rrezikon një qytetar, i cili gëzon shëndet të plotë, kur thith ajër të ndotur më shumë se normat e lejuara?

Arben Luzati: Më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël, si edhe moshat e treta, por edhe gratë shtatzëna. OBSH-ja ka llogaritur, që në rajonin tonë, nga ekspozimi i gjatë ndaj PM2.5-ës shkurtohet jeta me rreth 8.6 muaj. PM-të, përveçse janë grimca respiratore, kanë edhe kimikate, por janë gjetur edhe mikrobe.

Top Channel