Ajo ka humbur vajzën 9-muajshe dhe dorën e djathtë në një sulm me hanxhar nga ish-shoku i saj i klasës, por sot, Alice Mukarurinda dhe Emmanuel Ndayisaba janë miq.
Ajo është zëvendëspresidente e një grupi që ndërton shtëpi të thjeshta me tulla për të mbijetuarit e gjenocidit dhe jeton pranë agresorit të saj. Historia e tyre e dhunës etnike, ndjenjës së fajit dhe pajtimit është historia e Ruandës së sotme, 20 vjet pasi shumica Hutu vrau më shumë se 1 milion Tutsi dhe Hutu të moderuar.
Alice ishte vetëm 25 vjeç kur u sulmua nga Emmanueli, i cili mendoi se e kishte vrarë e më pas i vrau edhe vajzën 9-muajshe.
“Kur vrava familjen e parë, u ndjeva keq. Më pas, u mësova me vrasjet. Na thonin që Tutsit ishin të këqinj dhe mua më dukej sikur po vrisja armiqtë”, kujton Emmanuel, i cili u detyrua nga liderët lokalë Hutu të shfaroste familje të tëra.
Disa muaj pas gjenocidit, Emmanuel u pendua dhe rrëfeu krimet e tij. Ai bëri burg nga viti 1997 deri në vitin 2003, kur Kagame fali Hutu-të që pranuan fajin e tyre. Pasi fitoi lirinë, ai nisi t’i kërkonte falje të gjithë familjarëve të viktimave të tij.
Kur u përball me Alice, gruan që mendonte se e kishte vrarë, ai fillimisht e shmangu, por më pas u ul në gjunjë duke i kërkuar falje. Pas dy javësh të mbushura me mendime dhe diskutime me burrin e saj, ajo e fali vrasësin e vajzës së saj të vogël.
“Bibla thotë që duhet të falim në mënyrë që të falemi”, thotë Alice.
Top Channel