Disa qeliza janë në gjendje “të ecin”. Pikërisht kështu. Një zbulim i një grupi shkencëtarësh, biologë dhe matematicienë të Universitetit të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara mbërritën në këtë përfundim pas një pune të gjatë kërkimore.

Në raportin e tyre, publikuar në revistën “Journal of Cell Biology” ata thonë se falë instrumentave mjaft kompleksë matematikorë arritën në përfundimin se disa qeliza ‘ecin falë mekanizmave mjaft të thjeshtë, njësoj si ecja e organizmave më kompleksë’.

Zbulimi ka rëndësi të vecantë për kurimin e një sërë sëmundjesh kronike, që nga dëmtimet e shpeshta sipërfaqësore, që kërkojnë kohë për t’u shëruar deri tek artriti, diabet i tipit një dhe sklerozës së shumfishtë.

Në vecanti u zbulua se rruazat e bardha të gjakut, që riparojnë plagët si përgjigjja e parë e sistemit tonë imunitar ndaj një dëmtimi, ndërlidhen me njëra-tjetrën në vendin e vrarë duke formuar një ‘mur mbrojtës’.

“Sistemi imunitar migron menjëherë rruaza të bardha të gjakut drejt pikës së infektuar të shkaktuar nga një plagë. Objektivi i këtyre rruazave është sprapsja e agjentëve të huaj infektivë dhe nisja e procesit të riparimit dhe mbylljes së plagës”, thotë Juan Lasheras, njëri prej autorëve të studimit.

Ky është një proces normal i këtyre qelizave, por jo gjithmonë funksionon kështu. Lasheras thotë se ka raste kur ‘rekrutimi i këtyre qelizave nuk është korrekt dhe kjo mund të pasojë në dëme serioze dhe kronike për organizmin’.

Për shkencëtarin amerikan zbërthimi se si këto qeliza gjenerojnë forcën e nevojshme për t’u shkëputur nga gjaku dhe për t’u përqendruar në zonën e dëmtuar të organizmit ‘mund të çojë në gjetjen e teknikave të reja për të kontrolluar migrimin e rruazave të bardha të gjakut’.

Top Channel