Bulevardi i ri i Tiranës, lungomarja e Vlorës dhe një rrugë normale për në Pukë

27/01/2014 00:00

NDUE DEDAJ – Dy projektet e mëdha, bulevardi i ri i Tiranës dhe
shëtitorja e re e Vlorës përgjatë bregdetit, e quajtur ndryshe
Lungomarja e qytetit, janë shenja se po synohet jo vetëm të bëhen rrugë
(që Shqipëria i kishte aq të nevojshme dhe i ka ende në disa rajone),
por dhe të ndërtohen vepra komplekse të infrastrukturës qytetëse, që
bartin dhe një kulturë të re mjedisore etj.

Bulevardi i ri i Tiranës që do të shtrihet nga stacioni i trenit drejt Paskuqanit do t’i shtojë një përmasë të re kryeqytetit, duke e zgjeruar ndjeshëm qytetin e rreth një milion banorëve, duke shtuar dhe një park tjetër çlodhës në anën e epërme, ku mund të mungojë Liqeni Artificial, por do të jetë bërë qelibar Lumi i Tiranës, ashtu siç ai është në të vërtetë atje ku buron. Po ashtu shëtitorja e Vlorës, sipas arkitektëve që kanë punuar për projektin e saj, do të jetë një nga risitë urbanistike të vendit. Arkitekti vlonjat, Arben Meksi, e përshkruan si një sipërfaqe të sistemuar brenda dhe jashtë vijës bregdetare me një shtrirje 5-6 kilometra, plot gjallëri, lojëra, ndriçim, me lëvizje të disiplinuar të makinave, biçikletave e këmbësorëve. Këtë lëvizje urbane do ta gjallërojë trami apo pajtoni, të rinjtë që rrëshqasin mbi patina me rrota, varkat që vozisin në ujë, apo njerëzit që peshkojnë në komoditet etj., pa harruar artistët që aty do të shpalosin talentet e tyre në skulpturë, pikturë, arte të aplikuara etj. Një vizion modern, europianist i qytetit, pasi në Europë shkohet duke bërë vepra gjithëfarëshe urbanistike si në perëndim e jo vetëm duke plotësuar në letër kushtet e pranimit në BE. Nuk mund të mos gëzohesh nga projekte të tilla ambicioze, si në Tiranë, si në Vlorë, apo në qytete të tjera, pasi ato do të zhdukin kaosin e sotëm urban; nuk mund të bashkëjetojnë më në të njëjtin terren ndërtime të tilla moderne me ngrehinat e tranzicionit, bërë me informalitet e pa ligjësi urbane. Prandaj si qytetar inkurajon si Bashkinë e Tiranës, si qeverinë për këto dy vepra dhe të tjera të ngjashme.

2

     Mirëpo qeveria është dhe para një problemi tjetër mjaft të ndjeshëm. Vërtet do të bëhen shëtitore të kohës, që duan shumë buxhete, do të zgjidhet problem i mirëmbajtjes së autostradave, më së pari i Rrugës së Kombit, do të përfundojnë vepra të nisura si Rruga e Arbrit etj., por nuk mbaron këtu puna e qeverisë me infrastrukturën rrugore. Ka mjaft emergjenca lidhur me rrugët, me plot kuptimin e fjalës të tilla, që nëse vonon ndërhyrja, ngjarjet tragjike janë të mundshme nga dita në ditë, siç shpesh ka ndodhur në rrugët e pasigurta. Nuk është fjala për pesë a pesëmbëdhjetë kilometra, por për rrugë tejet të gjata e kryesore, si ajo që nis nga autostrada Durrës-Kukës (Reps) deri në Fushë-Arrës e Pukë, deri në Fierzë e Tropojë, ndoshta 150 kilometra. Sapo ngjitesh në vendin e quajtur Qafë-Benë, afërsisht dyqind metra matanë tabelës Pukë-Mirditë, rruga është shembur deri në gjysmë dhe nuk është vënë dorë për ta ndrequr. Për më tepër nuk ka asnjë shenjë që të sinjalizojë drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes(!) Ndërkohë që aty, sadopak të duket, qarkullojnë rregullisht çdo ditë vajtje-ardhje autobusët dhe mikrobusët e disa linjave, nga Fushë-Arrësi në Tiranë, Durrës, Lezhë etj. Ka dy-tri komuna që e mbulojnë atë territor, subjekte të tjera shtetërore dhe private që duhet ta ngrenë zërin deri në qiell për një rrugë gati të pakalueshme, dhe /////////////ministri të Transportit që duhet ta zgjidhë problemin. Nuk duhet harruar që para tre vitesh në këtë rrugë humbën jetën 14 persona nga rrëzimi i një autobusi. Po kaq ishin nxënësit nga Malisheva e Kosovës që u shuan po nga një aksident në Fushë-Arrës në vitin 2004. Pa folur për aksidentet e tjera gjithashtu me të vdekur. Është padyshim një nga rrugët më të rrezikshme të Shqipërisë. Nuk imagjinohet se si mund të jenë pa mbrojtëse anësore metalike pjesë të tëra të kësaj rruge, poshtë të cilave ka hone deri në një mijë metra!? Dhe nuk janë vetëm njerëzit që qarkullojnë, por dhe mjetet e rënda të ndërtimit të një hidrocentrali, ato të minierës së bakrit të Munellës, të fabrikës së Fushë-Arrësit etj. Për të gjitha këto kjo rrugë nuk mund të lihet më në mëshirë të fatit dhe gërryerjeve të shiut e borës.

Kur ndodhi aksidenti i fundit, vajtën në Fushë-Arrës që nga Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli, të cilët premtuan për rrugën, por asgjë nuk u bë. Kanë premtuar në fushatën e vitit të kaluar dhe socialistët që erdhën në pushtet, se do ta rikonstruktojnë rrugën e sipërthënë, por tash si nën zë thuhet se do të pritet buxheti i vitit i ardhshëm për këtë. Natyrisht që planifikimi është i nevojshëm, por emergjencat nuk presin një vit e dy, ato shpesh nuk presin as një orë, shembja e frikshme poshtë tabelës Pukë-Mirditë është një “minë me sahat” në rrugën për të cilën po flitet. U mendua se pas sensibilizimit të emisionit “Shqipëria tjetër” të Top Channel-it pak para Vitit të Ri ndërhyrja do të ndodhte, por jo. Banorët e Gjegjanit, Gojanit, Fushë-Arrësit, Qafë-Malit e deri të Dardhës së largët bëjnë thirrje orë e çast për rrugën që i lidh me Tiranën. Ata nuk duan të ndihen të braktisur nga shteti tani që rruga e vjetër për në Kukës nuk ka më peshën e dikurshme kombëtare. Kërkojnë veçse një rrugë normale për të lëvizur, për të cilën janë gati dhe të kontribuojnë, edhe të protestojnë. “Aq më tepër, thonë ata, që jemi në kulmin e dimrit dhe lëvizja është e vështirë dhe nëse rruga do të ishte në parametrat e duhur”.

Banorët e viseve të epra që nuk e kanë lëshuar vendin e tyre, për t’iu dorëzuar “bollëkut” me lugë të florinjtë të fushës, edhe për këtë fakt meritojnë më shumë se një rrugë, pasi falë tyre do të vijë ringjallja e bjeshkëve të harruara. Veçanërisht lugina e Fanit të Madh që gjallin nga njerëzit kërkon mbështetje me projekte zhvillimi në turizëm, blegtori, miniera, pyje, bimë mjekësore, vepra hidrike etj. Por në fillim rruga!

3

E vogël Shqipëria si territor, por me probleme të shumta të rrugëve. Po a do të marrin ato zgjidhje? Që dhe bulevardi i ri i Tiranës të ndërtohet, dhe Lungomarja e Vlorës të jetësohet si projekt dhe si realitet, dhe rrugët e tjera në proces të vijojnë të shtrohen në parametrat e kërkuar. Veçse rrugët që kanë dhënë alarmin sos duhet të trajtohen të parat. Vërtet u kërkohet drejtuesve të mjeteve të vendosin rripin e sigurimit, por se si tingëllon kjo në një rrugë pa mbrojtëse anësore, jo vetëm në pyjet e Pukës, por dhe pesë kilometra larg Tiranës, në Rrugën e Elbasanit, pak pa shkuar te tuneli. Ka ndodhur shpesh në të kaluarën që rregullorja e sigurimit teknik të përmirësohej pas çdo aksidenti në minierë, rrugë makine, repartet e xhenios dhe të merreshin masa të pjesshme. Tash është tjetër kohë dhe mbi rrugët ekzistuese duhet vënë dorë për rikonstruksionin e tyre pa bërë arnime. Na duhen rrugë automobilistike normale në çdo cep të Republikës. Por dhe linja hekurudhore të sigurta, që sot për sot janë pamja më e shëmtuar e infrastrukturës sonë rrugore, pa sinjalistikën më të vogël, pa trarë që ulen e ngrihen në pikëprerjet me rrugët automobilistike, sikur të ishin dekovilët e fillimeve të shekullit XX. Por hekurudhat e kredhura në mjerimin e tranzicionit do të ishin një temë më vete diskutimi. Meqë për rrugët detare dhe ato ajrore nuk kemi për të bërë kurrfarë shpenzimi…

Dhe të vijmë sërish të rruga problematike që lançuam në këtë shkrim. Ndoshta kësaj here Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës do të ngjitet deri në Pukë me ekspertët e saj, për ta parë në vend gjendjen e rrugës rrezik-vdekjeje, që duhej të ishte prej kohësh një nga rrugët më turistike të Veriut shqiptar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta