“Prokurimi Publik”/ “Vetëm 12% e tenderave me një ofertues”, Rama: Shqipëria mbi vendet e BE-së, jemi në një fazë shumë të avancuar të negociatave

11/05/2026 11:14

Kryeministri Edi Rama dhe Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta zhvilluan një konferencë për mediat, ku folën mbi procesin dhe se ku qëndron sot Shqipëria në fushën e prokurimeve publike.

“Raporti flet për mungesë ndërgjegjësimi mbi faktin që konkurrenca është një element kyç për prokurimet publike.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vendi ynë ndodhet në fazë të avancuar të negociatave në këtë fushë.

Sot jemi këtu për të ndarë me publikun disa fakte, sipas nesh shumë domethënëse, për ecurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike dhe për sa dhe si, kjo ecuri vlerësohet objektivisht nga partnerët tanë, ashtu sikundër edhe për çfarë hapash ne do të bëjmë më tej.

Në ndërkohë dua, duke qenë se janë të pranishëm, t’i falënderoj të gjithë ata që janë pjesë e grupit drejtues dhe ekspertëve të prokurimeve, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë dhe po e nis me diçka, që bazuar në fakte besoj vlen si hyrje në këtë temë.

Janë disa fjali që mund të tingëllojnë sikur fliten për Shqipërinë, por në fakt janë fjali të nxjerra nga një raport i detajuar i Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE lidhur me prokurimet publike. I sjell në vëmendje për të vendosur në një kontekst bashkëbisedimin e sotëm, por edhe për të pasur një pamje të pozicionit ku ndodhet Shqipëria në raport me një tematikë nga më të rëndësishme e procesit të anëtarësimit dhe nga më të rëndësishmit për vetë familjen evropiane, për të ndarë me publikun, kënaqësinë e vlerësimeve të njëpasnjëshme që i janë bërë Shqipërisë së fundmi, bazuar po mbi fakte.

Raporti flet për një nivel konkurrence për kontrata publike në rënie gjatë viteve të fundit, flet për një mungesë ndërgjegjësimi, lidhur me faktin që konkurrenca është një parakusht kyç për vlerën e parasë në prokurimet publike, flet për treguesit kyç për matjen e konkurrencës që mbeten të pakënaqshme në shumicën e shteteve anëtare; flet për mbi 40% të garave të bëra me vetëm një ofertues, për një periudhë 10- vjeçare; flet për një mungesë konkurrence që ndikon në çmimet dhe në kostot dhe për një kohëzgjatje mesatare të procedurave të prokurimit të rritur me rreth 50%. Ndërkohë që, shkalla e publikimit dhe pjesëmarrja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mbeten në nivele të pakënaqshme. Këto janë vetëm disa nga konkluzionet e raportit të Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE.

Ndërkohë që nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë, në indikatorët thelbësore që përcakton BE, konkurrueshmëria dhe po të shohim në tabelën e konkurrueshmërisë, pozicionin e vendit tonë, nëse në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm përbëjnë 32.3% të kontratave në vendet e Bashkimit Europian, për Shqipërinë ato janë në masën 23.5% dhe nëse në pasqyrën e përgjithshme te shteteve anëtare, janë një grup i madh vendesh që fillojnë nga 57.4% e zbresin deri në 35.8%, Shqipëria është midis tyre dhe vendeve si Suedia, 22.9%; Gjermania 22.6%; Finlanda 20.3%; Franca 20% dhe vendi ynë është mbi këto me shumë pak, pra 23.5%.

Edhe në numrin e ofertuesve për procedurë, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues për procedurë në mesataren e BE, Shqipëria është 3.7 ofertues mesatarisht dhe më tutje, në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve për punë publike që janë mbyllur me fitues dhe kanë patur vetëm një ofertues, është saktësisht 12% ndërkohë që në raportin e Gjykatës Europiane, përcaktohet se mesatarja e vendeve të BE, është 14%.

Të gjitha këto nuk duan të thonë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa faktin që mbi fakte, Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe nga ana tjetër, të pozicionimit në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian.

Këtu jam bashkë me drejtuesen e Agjencisë së Prokurimit Publik e cila është edhe njeriu që udhëheq këtë proces prej një sërë vitesh, duke luajtur një rol kyç në këtë transformim, por është edhe negociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Europian, për kapitullin 5 ku përfshihet e gjithë kjo fushë me të gjitha tematikat e veta.

Reida do të bëjë një prezantim më të detajuar, duke u nisur nga konkluzionet e nxjerra prej partnerëve tanë, jo thjesht nga konkluzionet e nxjerra prej të dhënave të marra dhe të procesuara prej nesh vetë“, tha Rama.

Top Channel