Çfarë synon buxheti 2014?

23/12/2013 00:00

Buxheti i vitit 2014 tenton të ndalë rënien tashmë disavjecare të të
ardhurave në arkën publike. Qeveria pret që vitin e ardhshëm të mbledhë
rreth 364 miliardë lekë ose 40 miliardë më shumë se këtë vit. Kjo është
sa 26.1 % e Prodhimit Kombëtar.

“Ne nga përmirësimi administrativ shohim rritje të të ardhurave në këtë paketë, aq sa është mesatarja në 10 vitet e fundit”, sqaroi më herët ministri i Financave, Shkelqim Cani.

Por gati gjysma e kësaj shtese vjen nga rritja e drejtpërdrejtë e taksave mbi qytetarët dhe biznesin. Ky është dhe kundërshtimi i parë ndaj buxhetit.

“Investime nuk ka sepse biznesit nuk i mbetet asgjë, kursime nuk ka, sepse qytetarëve nuk i mbetet asgjë për të kursyer”, pati deklaruar pak ditë më parë deputeti demokrat Ridvan Bode.

Qeveria takson me fort për të shpenzuar më shumë, përkatësisht 455 miliarde leke në total. Ndaj Prodhimit Kombëtar ky është niveli më i lartë që nga viti zgjedhor 2009.

Por edhe me këtë ritëm shpenzimesh, ndryshe nga vitet e tjera buxheti ngrin pagat dhe si rrallëherë më parë ul investimet nën 5 për qind të Prodhimit Kombëtar.

“Në të dy dimensionet, ku ky buxhet mund të luante një rol aktiv për Qeverinë, ky buxhet godet rëndë si nxitjen e investimeve, si rritjen e kërkesës konsumatore”, deklaroi Bode.

Ngrirja e pagave dhe ulja e investimeve ka dy arsye. Së pari, maxhoranca e re ka përcaktuar të të tjera prioritete për ekonomine.

“Kemi në prioritetet tona zhvillimin e infrastrukturës dhe bujqësisë,të arsimit dhe shëndetësisë dhe do t’i orientojmë prioritetet sipas programit të Qeverisë”, tha pak ditë më parë në Komision parlamentar, deputeti socialist Anastas Angjeli.

Ndërsa arsyeja e dytë lidhet me borxhet e prapambetura që Qeveria e kaluar la ndaj biznesit. Ministria e Financave thotë se në 2014-ën do të shlyejë 35 miliardë lekë.

Shlyerja e borxheve ndaj biznesit ishte një angazhim i fortë elektoral i socialistëve, i kërkuar me ngulm edhe nga ndërkombëtarët. Por kjo vjen me nje faturë të rëndë, rritjen e taksave dhe borxhit. Përballë pagesës prej 35 miliardë lekësh për këto detyrime, Qeveria do të marrë borxh 91.6 miliardë lekë.

“Po, ne do të marrim borxhe të reja për të shlyer borxhet e vjetra, sepse nuk kemi rrugë tjetër”, tha Cani.

Ky është një ndër deficitet më të larta historike, i krahasueshëm vetëm me vitin 2009, që tronditi financat e shtetit edhe pse huamarrja në atë kohë ishte më e ulët, pasi një pjesë e defiçitit u financua nga privatizimet.

Defiçiti rekord e vendos buxhetin përballë risqeve të larta. Sot Qeveria e financon borxhin lirë për shkak të rënies drastike të interesave. Por disa ekspertë parlajmërojnë se ky mund të jetë kurth. Nëse interesat rikthehen sërish në nivelet mesatare, me këtë defiçit buxheti do të lëkundej fortë, duke u shndërruar në kërcënim për ekonominë. Aq më tepër që tani Shqipëria ka dhe një tjetër problem. Rifinancimin e eurobondit 300 milionë euro, që me zhvlerësimin e vendit nga “Standard and Poor’s” do hapë skenarë të tjerë të rrezikshëm për financat e vendit.

Top Channel