Khodorkovsky largohet drejt Gjermanisë

20/12/2013 15:30

Ish-miliarderi i burgosur rus, Mikhail Khodorkovsky është duke udhëtuar drejt Gjermanisë, vetëm disa orë pasi u fal me një dekret të presidentit Vladimir Putin, raportuan agjensitë ruse të lajmeve.

Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur në vend dhe një prej më të pasurve në botë, po udhëton për të vizituar nënën e tij që po kurohet për një sëmundje të rëndë në një spital gjerman.

Ai vuajti dhjetë vjet nga një dënim 14-vjeçar për pastrim parash dhe evazion fiskal, dënim i konsideruar nga vendet perëndimore si i motivuar politikisht, pasi Khodorkovsky identifikohej përpara futjes në burg si një prej kundërshtarëve kryesorë të presidentit Putin.

50-vjeçari dhe partneri i tij në biznes, Platon Lebedev, u dënuan fillimisht për pastrim parash dhe duhet të liroheshin në 2014-n, por një proces i ri për evazion fiskal në vitin 2010 zgjati burgosjen e tyre deri në 2017-n.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka kritikuar dënimin e dy biznesmenëve, duke i kërkuar disa herë autoriteteve ruse që të rigjykojnë këtë çështje.

Si ish-pronari i “Yukos”, Khodorkovsky arriti të shndërrohej në njeriun më të pasur të Rusisë dhe një prej më të pasurve në botë, përpara dënimin të parë në vitin 2003.

Si rrjedhojë e atij dënimi, kompania në zotërim të manjatit u konfiskua dhe të gjithë asetet kaluan në administrimin e “Gazprom”-it, një kompani e përbërë kryesisht nga kapitali shtetëror.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA