Merkel merr “bekimin” e Bundestagut

17/12/2013 00:00

Parlamenti gjerman i ka dhënë me shumicë votash mandatin e tretë në krye
të vendit kancelares Angela Merkel, e cila do të jetë shefja e një
koalicioni të madh.

Sipas raportimeve të fundit, zonja Merkel ka marrë 462 vota pro nga 621 gjithësej në seancën e posaçme të mbajtur të martën në Bundestag.

Blloku i saj i qendrës së djathtë, CDU/CSU, nuk arriti të fitonte shumicën dërrmuese në zgjedhjet e shtatorit dhe për rrjedhojë do ta ndajë pushtetin bashkë me social-demokratët e SPD-së.

Bisedimet për formimin e koalicionit të ri ishin më të gjatat e zhvilluara në historinë e Gjermanisë që pas Luftës së Dytë Botërore. Anëtarësia e SPD-së votoi të dielën për të mbështetur koalicionin me rivalin e vjetër.

Në bazë të marrëveshjes, një rrogë minimale në nivel kombëtar do të hyjë në Gjermani, por qëndrimi për një disiplinë të rreptë fiskale ka pak gjasa që të ndryshojë.

Akordi i firmosur muajin e kaluar, “Ngritja e së Ardhmes së Gjermanisë”, bën fjalë për një kuotë minimale prej 8.50 eurosh në orë, që do të hyjë në fuqi për herë të parë në vitin 2015.

Qeveria e re do të anojë paksa më majtas se ajo e mëparshme, në të cilën unioni kristian/social-demokrat ishte në koalicion me Demokratët e Lirë.

Por SPD do të përbëjë një pjesë të vogël të qeverisë dhe nuk ka dyshime se zonja Merkel do të jetë lidere absolute e saj, raporton korrespondenti i BBC në Berlin.

Duke qenë vendi më i industrializuar dhe më i populluar i BE-së, me një ekonomi të plotëfuqishme, Gjermania do të dominojë vendimmarrjen në eurozonë.

Top Channel