Zyrtarët lokalë në Meksikë kanë bërë të ditur se, pas vjedhjes së një kamioni, janë vjedhur materiale mjekësore radioaktive. Sipas tyre, kutia që mbante kobalt 60 është manipuluar, por materiali nuk është hequr nga kasa mbrojtëse.
Materiali nuk përbënte rrezik shëndetësor për popullsinë e zonave rrethuese, tha Mardonio Jimenez nga Komisioni Kombëtar për Sigurinë Bërthamore, për një televizion lokal. Kamioni u vodh të hënën, pranë kryeqytetit Mexico City.
Mjeti ishte gjetur i braktisur rreth 2 km nga vendi ku ishte vjedhur në një stacion karburanti. Jimenez tha se materiali radioaktiv është tashmë në duart e autoriteteve. Por, ai paralajmëroi se hajdutët janë ekspozuar rrezikshëm ndaj niveleve radioaktive kërcënuese të jetës, teksa po kërkoheshin nga policia.
“Me shumë mundësi, ata do të duhet të shkojnë në ndonjë spital, ndaj dhe jemi duke i pritur”, tha Jimenez. Ushtria ka rrethuar zonën.
Kamioni Volkswagen u vodh, në momentin kur shoferi i tij kishte ndaluar për ta mbushur me karburant në Tepojaco.
Agjencia Ndërkombëtarë e Energjisë Atomike (IAEA) e përshkroi materialin si “ekstremisht të rrezikshme”, teksa ka pasur edhe spekulime se ai mund të jetë përdorur për të ndërtuar “ndonjë bombë keqbërëse”.
Kobalt 60 përdoret zakonisht në trajtimet e kancerit dhe po transportohej nga një spital në qytetin verior të Tijuana-s, drejt një qendre asgjesimi pranë kryeqytetit.
Top Channel