Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka marrë masa të pazakonta duke shpërndarë një video-mesazh në Kongres, në përpjekje për të ndalur ligjvënësit amerikanë të tentojnë zhbërjen e marrëveshjes bërthamore të javës së fundit me Iranin.
I sapokthyer nga triumfi i tij diplomatik në Europë, Kerry dha mesazhin për legjislatorët, teksa i nxiti ata të mos zbatojnë masa të reja ekonomike ndaj Iranit, në një kohë kur SHBA-të dhe fuqitë e mëdha botërore janë duke hequr disa prej sanksioneve ekzistuese, në këmbim të ndalimit të programit bërthamor të iranianëve.
Kerry pohoi se tashmë është koha për të punuar mbi një marrëveshje përfundimtare, që do të heqë çdo dyshim se Irani po tenton të prodhojë armët bërthamore.
“Të gjithë ne e dimë se nëse marrëveshja dështon njëanshmërisht, Irani do të përballet me shpejtësi me sanksione edhe më të ashpra”, tha ai në mesazhin e dhënë Kongresit.
Edhe pse Kerry iu drejtua personalisht senatorëve më të lartë, demokratët dhe republikanët u shfaqën të vendosur për të rritur presionin ndaj Teheranit.
Dy senatorë kyç janë aktualisht duke punuar mbi legjislacionin që do të rivendoste forcën e plotë të sanksioneve dhe do t’i shtonte ato me disa të tjera, nëse Irani nuk vepron në rrugën e duhur me angazhimin e ndërmarrë për të ndalur programin bërthamor të tyrin.
“Populli amerikan ka nevojë për një politikë sigurie për të parandaluar përsëritjen e Koresë së Veriut”, tha senatori Mark Kirk, një republikan që po harton një projekt-ligj së bashku me senatorin demokrat, Bob Menendez.
Kritikët e marrëveshjes së arritur në Gjenevë besojnë se akordi do t’i lejojë Iranit të mashtrojë vëzhguesit ndërkombëtarë, teksa krijon arsenalin e tyre të armëve bërthamore, në mënyrë të ngjashme me Korenë e Veriut përgjatë dekadës së fundit.
Izraeli e konsideron ndërprerjen e presionit ekonomik si një lëshim të rrezikshëm, që do t’i lejojë Iranit të shkojë edhe më pranë aftësive për armët bërthamore.
Komiteti amerikano-izraelit i Marrëdhënieve Publike i është bashkuar thirrjeve se sanksione të reja janë të domosdoshme “në mënyrë që Irani të përballet në mënyrë të menjëhershme me pasojat, nëse nuk i përmbahet angazhimeve të tij, apo refuzon të negociojë një marrëveshje përfundimtare të pranueshme nga të gjitha palët”.
Menendez dhe Kirk shpresojnë ta kenë gati projekt-ligjin e tyre për t’ua pasqyruar ligjvënësve të tjerë, të cilët do ta marrin në konsideratë kur Senati të rikthehet në punë, më 9 dhjetor, pas pushimeve dy-javore, sipas ndihmësve të legjislatorëve.
Top Channel