Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit

22/11/2013 00:00

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Drejtësisë, Nasip Naço nisën takimet zyrtare në Bruksel për të paraqitur masat e marra nga qeveria e re në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, me sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit të Jashtëm, Pierre Vimont.

I impresionuar nga prania e tre ministrave, përfaqësuesi i Catherine Ashton vlerësoi angazhimin e Tiranës dhe e konsideroi vizitën “në kohën e duhur”, por theksoi se për statusin kandidat tashmë vendosin vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Sipas rekomandimit të Komisionit, dhe për të bindur vendet anëtare hezituese, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit në nivel të lartë, një paketë me ndryshime të nevojshme ligjore i kalon Parlamentit së shpejti, sipas Ministrit Naço.

“Vitin e kaluar janë bërë ndryshimet në Kushtetutë, por jo në Kodin e Proçedurës Penale. Me këto ndryshime i hapet rruga prokurorisë që të fillojë hetimet për gjithë zyrtarët, pa përjashtim të të gjitha niveleve, dhe mbetet vetëm për rastin e grumbullimit të provave për deputetët apo ministrat që t’i drejtohet Kuvendit për arrestimin e këtyre zyrtarëve. Pra, është tejkaluar ky ngërç në ligj me këtë paketë që shumë shpejt do të kalojë në Parlament”, deklaroi Naço.

“Shqipëria dhe Bashkimi Europian – udhërrëfyesi i ri i qeverisë për statusin kandidat”, ishte tema e debatit të organizuar nga Qëndra e Politikave Europiane me pjesëmarrjen e tre ministrave, si dhe përfaqësuesve të Komisionit, Këshillit dhe organizatave lobuese në Bruksel.

“Ne kemi përgatitur një plan veprimi të detajuar, që nuk është vetëm afatshkurtër, pasi do të drejtojë veprimet dhe reformat për të transformuar Shqipërinë. Ky është një proces i rëndësishëm për ne. Ne kemi bërë edhe një raport për komisionerin Fule me gjithë të dhënat që kjo qeveri ka arritur deri tani në dy muajt e fundit, e cila do të freskohet sërish në 27 nëntor, pasi e vlerësojmë si kyçe ndaj gjithë vendeve anëtare”, deklaroi ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.

“Së pari duhet të them se ju keni një numër shumë të madh vendesh anëtare mbështetëse për statusin kandidat të Shqipërisë. Mendoj se kjo është bërë publike”, deklaroi Jean-Eric Paquet, drejtor për politikën e zgjerimit dhe strategjinë.

“Kush është kundër?”, pyeti ministri Tahiri gjatë debatit.

“Dhe pastaj është e vërtetë se egzistojnë po ashtu disa vende anëtare që nuk e kanë bërë të qartë plotësisht pozicionin e tyre. Kjo është e qartë. Unë vetë nuk e di se kush është kundër, ndoshta ka, por nuk jam në dijeni. Por ka në të vërtetë disa vende anëtare që duhet të vendosin ende dhe mendoj se këto vende përballen me angazhimin politik të qartë dhe të dyjëzuar, me vizion shumë të qartë strategjik dhe rezultate të prekshme”, tha Paquet.

“E në fusha të tilla të vështira, si krimi i organizuar e korrupsioni, është me rëndësi që qarqet politike në Shqipëri të punojnë së bashku dhe mendoj se statusi kandidat do ndihmojë mjaft mirë për këtë”, theksoi ai.

Përveç të dhënave mbi luftën ndaj trafikut të qënieve njerëzore dhe krimit të organizuar, ministri i Brendshëm foli dhe për bashkëpunimin rajonal dhe retorikën nacionaliste.

“Çdolloj bashkimi konsiderohet brenda Bashkimit Europian. Pra, ka dy rrugë për integrimin europian, një për Kosovën e ajo për Shqipërinë. Dhe kjo është e vetmja rrugë ku bashkohen të dy vendet”, deklaroi Tahiri.

“Ministrat risiguruan për nivelin e bashkëpunimit mes qeverisë së re dhe opozitës, çfarë përbënte një problem kyç në të shkuarën dhe dhanë siguri për përparimin e bërë. Komisioni bie dakort me këtë pozicion, ndaj topi është në anën e vendeve anëtare, por sigurisht Shqipëria mund të vijojë të bindë vendet anëtare për gjithë ndryshimet dhe progresin e bërë”, tha më pas Rosa Balfour, shefe për Europën në EPC.

Delegacioni shqiptar u prit nga komisionerja Cecilia Mallmstrom dhe komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, ndërsa ambasadori i Greqisë, vendi që merr presidencën e radhës së Unionit, organizoi një drekë pune me përfaqësuesit e vendeve anëtare. Këshilli i BE-së pritet të marrë vendimin për Shqipërinë në samitin e 19-20 dhjetorit.

“Shqipëria po merr hapa vendimtare”
Fule takon 3 ministrat: Do informoj Këshillin e Ministrave të BE-së

Pas takimit me delegacionin shqiptar, mundësuar në momentin e fundit për shkak të anullimit të vizitës për në Ukrahinë, komisioneri Fyle çmoi iniciativën e 3 ministrave për ardhjen në Bruksel dhe vijimin e bisedimeve në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi prioritetet kyçe.

“Vizita e tyre përbën ende një angazhim të qartë të ndërmarrë nga Shqipëria për reformat dhe integrimin në BE”, thuhet në deklaratën e posaçme për shtyp. “Pas diskutimit jam i bindur se Shqipëria po merr hapa vendimtarë për të forcuar funksionimin e institucioneve demokratike dhe nisjen e përpjekjeve për një reformë gjithëpërfshirëse”, shprehet Fyle.

Zyra e komisionerit sqaron se ministrat raportuan mbi masat e ndryshme afatshkurtra të ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit. Ata prezantuan planin e freskuar të aksionit mbi luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe raportin e fundit për veprimet e marra në këto fusha. Këto zhvillime u mirëpritën nga komisioneri, i cili do  të informojë Këshillin në takimin e radhës.

Këto zhvillime u mirëpritën nga Komisioneri, i cili do të informojë Këshillin në takimin e radhës për arritjet, në kuadër të rekomandimit për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel