Aktivistë, qytetarë dhe deputetë të opozitës kanë protestuar sërish kundër deaktivizimit të lëndëve helmuese luftarake të Sirisë në Shqipëri. Edhe pse me të njëjtin qëllim, protestuesit janë ndarë në dy sheshe.

Altin Goxhaj dhe Aleanca Kundër Importit të Lëndëve Helmuese e ka nisur protestën më herët, rreth orës 13, pranë sheshit para Piramidës.

Ndërkohë, një tjetër protestë ishte paralajmëruar në sheshin Skëndërbej nga grupime studentore, aktivistë dhe ambjentalistë në orën 14:00.

Ndërkohë që inicuesit e protestave, Aleanca Kundër Importit të Plehrave, ajo që nisi e para sensibilizimin e opinionit dhe protestat, kishte anuluar tubimin dhe nuk ishte pjesë e asnjërës prej protestave.

Një përfaqësues i AKIP, Elton Kacidhja, i pyetur për këtë nga Top Channel deklaroi se Aleanca Kundër Importit të Plehrave nuk i bashkohet protestës së AKILH pasi ajo është një lëvizje e organizuar dhe mbështetur nga Partia Demokratike dhe se nuk dëshiron që aksioni i tyre qytetar të politizohet dhe të shfrytëzohet nga asnjë forcë politike.

Ndërkohë që AKIP nuk ishte pjesëmarrëse e protestës, ndarja mes dy grupimeve të tjera që protestonin të mërkurën është bërë më e dukshme pikërisht kur ata janë bashkuar pranë Kryeministrisë.

Ndarja e protestës që tashme ka nisur të marrë ngjyrime politike do të theksohet edhe në ditët në vijim. Organizatorët e AKILH kanë paralajmëruar një tjetër protestë para Parlamentit ditën e enjte.

Ndërkohë që Aleanca Kundër Importit të Plehrave do të protestojë po të enjten, por në Elbasan, ndërsa po organizojnë një tubim me vetëm shoqerinë civile, qytetarët dhe studentët ditën e shtunë në Tiranë.

Top Channel