Asnjë vendim për të rrezikuar shqiptarët

13/11/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama për të dytën ditë radhazi është prononcuar rreth armëve kimike të Sirisë duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk ka vënd për alarm.

Pasi ka shprehur mirëkuptimin për të gjithë ata që kanë nisur të protestojnë, kryeministri tha se përfshirja e Shqipërisë në këtë cështje është e natyrshme si pjesë e familjes Euro-Atlantike dhe si partnere e pandashme e SHBA-ve.

“Fakti që sot nuk ka ende asnjë vendim, lidhet me faktin që sot nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proces. Por, jo vetëm nga ana jonë, edhe mes vendeve me njëri-tjetrin”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi publikun se anulimi i ligjit për importin e plehrave dhe armët  kimike të Asadit janë dy gjëra pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

“Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student, që sot është përfshirë në këtë debat, duhet ta dijë se kurrë, unë vet dhe kjo qeveri, nuk do të pranonte që, jo jeta, por vet e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cënimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo qeveria, nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni, që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen. Kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe përballë Parlamentit për të kërkuar “Po”-në e tyre të domosdoshme, pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje, që do të garantonte jo vetëm që të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande, do të thosha të mbështetur në një tërësi të pavërtetash dhe me disa të vërteta që janë vetëm të vërtetat tona, të kthehej në një problem”, tha Rama.

“Po-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe më e pastër se ç’është sot”, theksoi Rama.

***

“Mbetet me shumë të panjohura qoftë për faktin se thuhen shumë të pavërteta, por qoftë dhe për faktin se ndërkohë diskutimi vazhdon dhe shumëçka mbetet ende pjesë e një diskutimi intensiv, e një diskutimi të gjerë, e një diskutimi  me përgjegjshmërinë më të lartë nga të gjithë dhe ju siguroj edhe nga qeveria shqiptare.Më lejoni të shtoj se pa asnjë dyshim sot dhe gjithherë, unë jam dhe do të mbetem krenar që ne jemi një shumicë e zgjedhur me votë të fortë popullore, që projektin e parë që i çoi parlamentit pati projektin e ndalimit të importit të plehrave”, tha kryeministri Rama.

“Pa asnjë dyshim njerëzit kanë nevojë për siguri të plotë. Njerëzit kanë nevojë për të patur para syve një plan të plotë. Njerëzit kanë nevojë për të gjykuar mbi një marrëveshje të plotë dhe në fund të fundit për të dëgjuar një arsyetim të plotë për çfarë përfiton Shqipëria, pikërisht edhe nga vetë pikëpamja mjedisore në rast  se përfshihet në një operacion të tillë.E të gjitha këto do të mund të thuhen dhe dëgjohen, vetëm kur ky plan i plotë dhe kur kjo marrëveshje e plotë të jenë gati për t’u diskutuar. Fakti që sot nuk ka ende asnjë vendim, lidhet me faktin që sot nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proces dhe jo vetëm nga ana jonë, por mes vendeve me njëri-tjetrin”, vijoi kryeministri.

Top Channel