Opozita e ka cilësuar marrëveshjen e Qeverisë me kompaninë britanike ‘Crown Agents’, si një aferë korruptive, që devijon fonde nga buxheti i shtetit për të paguar konsulencën elektorale të Partisë Socialiste.

“Qeveria, që në ditët e para, vuri në provë opinionin publik, opozitën me një ligj të paprecedentë edhe pse retorika publike vijon te mbetet tepër agresive për luftën korrupsionit, në fakt Qeveria me veprimin që po bën, me këtë ligj që ka sjellë, dëshmon se përtej demagogjisë dhe retorikës angazhimet e saj janë tërësisht jotransparente, dyshuese, korruptive”, u shpreh deputeti demokrat Ridvan Bode.

Por maxhoranca thotë se kjo është marrëveshja më transparente e konsulencës që është kontraktuar ndonjëherë nga Qeveria shqiptare. Erjon Braçe u kujtoi demokratëve kontratat që ata kanë lidhur kur ishin në Qeveri.

“Nuk ka asnjë rast tjetër të ngjashëm që një kontratë e tillë konsulence të ketë ardhur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, asnjë. Jam interesuar gjatë gjithë kësaj jave në arshivën e Kuvendit për të gjetur një kontratë konsulence të të tilla përmasave, të këtë ardhur në Kuvendin e  Shqipërisë dhe nuk ka ardhur asnjë”, u shpreh Braçe.

“Janë lidhur kontrata, janë bërë pagesa milionëshe dhe populli nuk e ka ditur, ose i ka mësuar me vonesë dhe ku transparenca ka munguar në mënyrë thelbësore. Janë marrëveshjet të bëra me disa kompani në Amerikë”, u shpreh ministri i Financave, Shkelqim Cani.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se marrëveshje me ‘Crown Agents’ ka mbrojtur interesat e publikut dhe do të sjellë rritjen e të ardhurave.

“10 përqind e pagesës mbahet dhe kushtëzohet me realizimin e objektivit që kemi marrë, që nga niveli më i lartë i arritur deri më tani, 10.1 përqind e PBB,  të shkojë në 11 përqind”, tha ministri Cani.

“Po ne e kemi 11.4 përqind. Ca do të bëni, të programi t’i ulni. Janë në 2011 11.4 përqind dhe në vitin 2011 nuk ka qenë akciza e brendshme në administrimin e doganeve, dhe sot akcizën e brendshme e mbledh dogana dhe janë 11.3 përqind e PBB akcizat e brendshme. Sot dogana mbledh 11.4. Ti zoti Ministër i vë objektiv të mbledhësh 11 përqind dhe thua e kam performancë”, replikoi Bode.

Shqetësime për kontratën me “Crown Agents” kanë mbërritur edhe nga Bashkimi Europian, përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme e Taksimit dhe Doganave të BE-së, institucioni me ekspertizën më të lartë doganore në Europë.

Top Channel zbardh një letër ku ekspertët e BE i vënë në dukje qeverisë shqiptare se ndërtimi hap pas hap i kapaciteve nën programet e asistentcës së Bashkimit Europiane është një zgjidhje më e mirë se sa kontraktimi i konsulentëve me më pak eksperiencë në këtë fushë duke iu referuar “Crown Agents”.

Sipas BE në periudhë afatshkurtër kompania britanike nuk do të mund të ndërtojë dot kapacitetet apo të ndryshojë strategjitë e biznesit, por vetëm do të ndryshojnë stafin e punonjësve.

Në fund të letrës, ekspertët e BE kanë shprehur qëndrimin e tyre edhe për cështjen e pagesës që qeveria do i paguajë kompanisë britnaike. “A është kjo kosto e lartë? Sigurisht kjo është një cështje që u takon autoriteteve tuaja për të vendosur”, përfundon letra.

“Crown Agents” do të këshillojë doganat për 2 vjet me opsion shtyrje në vitin e tretë për 8.5 milionë euro të përjashtuara nga taksat. Por Ministri i Financave tha se nëse kompania nuk arrin treguesit e performancës marrëveshja do të ndërpritet.

Top Channel