Braho: Olldashi e Halimi në burg

12/11/2013 00:00

Një nga eksponentët kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti Spartak Braho, u ka treguar prangat dhe burgun ish-ministrave të qeverisë Berisha.

Zoti Braho ishte i fundit që foli në Komisionin e Ligjeve, ku demokratët diskutuan gjatë për paligjshmërinë e vendimit të qeverisë që kthente në detyrë drejtuesit e Agjensisë për Komunikimet Elektronike, të shkarkuar pas largimit të LSI-së nga qeveria e kryeministrit Berisha.

Të gjithë diskutantët demokratë e lidhën atë që e quajtën paligjshmëri të vendimit të qeverisë Rama me domosdoshmërinë e shpërblimit të LSI-së, por zoti Braho u tregoi burgun vetëm ish-ministrave Sokol Olldashi dhe Eduard Halimi.

Sokol Olldashi, deputet i Partisë Demokratike: Çështja është shumë e thjeshtë,  në vazhdën e zënies së insitucioneve duhet të hiqet kryetari aktual i AKEP dhe duhet të rikthehet Pirro Xhixho, sepse në marrëveshjen e ndarjes së tortës së pushtetit mes PS-LSI, ky institucion, si të gjitha institucionet rregullatore, që përfshijnë tregje pronash apo xhiro prej 200-300 milionë USD në vit, këto territore të pushtetit i rregullon më mirë LSI-ja dhe për këto arsye duhet që Pirro Xhixho të kthehet atje.

Spartak Braho, deputet i LSI-së: Pirro Xhixho nuk i la që ta hante tortën ministri përkatës. Këtyre u mbeti në fyt ajo tortë dhe e shkarkuan në momentin që u prish koalicioni.

Eduard Halimi, deputet PD: Doni të realizoni një qëllim të caktuar, të vini Xhixhon aty? Bëjeni, por gjeni mënyrën se si bëhet. Nuk bëhet në mënyrë të kundraligjshme, sepse po vazhdoni me arbitraritet. Qëllimi është, sic tha zoti Olldashi, të ndajnë tortën.

Spartak Braho: Me dhimbje, por s’kemi c’bëjmë, dhe meqë këtyre u kanë mbetur shumë torta pa ngrënë, tani po i qajnë, por ndërkohë ka ardhur koha që t’i vjellin këto torta. Dhe parafolësi me gjyslyke (Sokol Olldashi) dhe zoti Halimi do te jepni llogari jo vetëm për tortat që keni ngrënë, por do të jepni llogari edhe me burg. Edhe ti edhe ai tjetri që iku (Olldashi).

Pas kësaj deklarate pa doreza, maxhoranca e majtë në Komision vendosi që duke riformuluar nga ana ligjore kërkesën e qeverisë, t’i propozojë parlamentit kthimin në detyrë të personave të shkarkuar.

Top Channel