Protesta e opozitës për “Korçën”

11/11/2013 00:00

Me motin e paqëndrueshëm dhe me shi, Partia Demokratike e Lulzim Bashës  nuk pati dhe aq fat me protestën e parë që zhvilloi si opozita e qeverisë së Edi Ramës. Megjithatë, reshjet nuk ndryshuan aspak axhendën e protestës përballë godinës së Këshillit të Ministrave, ku Partia Demokratike ngriti zërin kundër blerjes së votës, si fenomeni më i rrezikshëm për demokracinë.

Bashkë me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, zoti Basha qëndroi mes protestuesve derisa erdhi koha që ai t’u kërkonte shqiptarëve ta konsideronin veten si opozitarë me çdokënd që tenton të blejë me para lirinë dhe dinjitetin e tyre.

“Ja përse në këtë moment kur vota e lirë është cënuar, fyer e poshtëruar në Korçë, të gjithë jemi e duhet të jemi opozitarë, pa kursyer asgjë, me mendjen top se zgjedhjet e lira e të ndershme janë vetë jeta e lirë që kemi fituar, se nuk kemi betejë tjetër më të madhe dhe mision tjetër më të shenjtë për të përmbushur, se jo paratë e pista, jo manipulatorët e veshur me pushtet, jo tregtarët e kontrabandistët e votës, jo gangsterët politikë, jo mafia politike, por kauza e drejtë dhe njerëzit e lirë e të bashkuar rreth saj janë fuqia e pathyeshme e demokracisë”, deklaroi Basha.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, sjellja e qeverisë me aktet e saj antikushtetuese ka në themel arrogancën që vjen nga një pushtet i blerë, ku ligji është zëvendësuar me paligjshmërinë dhe ka vënë në rrezik standardet demokratike.

Opozita beson se blerja e votës në Korçë ka për qëllim final blerjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga mazhoranca e kryeministrit Rama. Sipas zotit Basha, kjo është dhe arsyeja përse kjo qeveri hesht me arrogancë edhe për çështjen e armëve kimike.

Duke përmendur këtë çështje, zoti Basha nuk mbajti ndonjë qëndrim zyrtar të Partisë Demokratike, në mitingun e të cilës u vunë re edhe pankarta kundër armëve kimike, edhe flamuj amerikane.

“Kjo shumicë merr borxh për shpenzime luksi në kohë krize dhe nuk i bëhet vonë ta çojë drejt greminës stabilitetin e Shqipërisë, sepse ka ndërmend dhe në plan ta blejë votën, ta blejë pushtetin. Kjo qeveri nuk ndien asnjë detyrim të jetë transparente me publikun, as për çështjen shumë të ndjeshme të armëve kimike, por bëjnë lojën e strucit me shqiptarët dhe me partneret tanë ndërkombëtarë, sepse kanë në mendje dhe në plan t’i blejnë votat, ta blejnë pushtetin. Ky kryeministër po shkon larg në rrugën e tij të zëvendësimit të sundimit të ligjit, me sundimin e “Ramastan-it”, të zëvendësimit të Shqipërisë demokratike me Sulltanatin e njëzetmijë lekëshit, sepse ka në mendje dhe në plan t’i blejnë votat, bashkë me aleatin e tij Meta. Qeverisin me arbitraritet sepse do të blejnë vota, blejnë vota që të qeverisin si në xhungël. Ne pushtetin, ju njëzet mijë lekëshin. Ky është slogani, kjo është filozofia e tyre”, u shpreh Basha.

Tani për tani, në axhendën e Partisë Demokratike nuk ka një datë tjetër për protesta, por kryetari i opozitës e siguroi kryeministrin Edi Rama se demokratët nuk do të heqin dorë nga përballja për votën e lirë.

“Po nuk e ndaluam sot shitblerjen e votës, shitblerja e votës do ta ndalojë demokracinë nesër. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjëmë. Do ta ndalojmë me çdo çmim këtë gjëmë. Ky është zotimi ynë solemn në këtë protestë të parë si opozitë e re në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky është fillimi i një beteje të përbashkët në sheshet e protestave popullore, pa kompromis dhe pa pauza për votën e lirë, për ligjin, për Shqipërinë demokratike. Partia Demokratike e ka forcën, opozita e ka forcën”, theksoi Basha.

Top Channel