Fyle: Presim rezultate konkrete

11/11/2013 00:00

Në vizitën e tij të tretë në Tiranë brenda këtij viti, komisioneri Shtefan Fyle, pas një takimi për më shumë se 60 minuta me kryeministrin Edi Rama kërkoi nga qeveria por edhe opozita një proces gjithëpërfshirës dhe që të mos humbin kohë në përmbushjen e 5 prioriteve të vendosura nga Komisioni Europian.

“Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate. Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.

Ne diskutuam edhe për synimin, për të cilin unë edhe kam ardhur në Shqipëri, që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë të martën, për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme”, deklaroi Fyle.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama foli për nevojën e përshpejtimit të proceseve integruese, duke shprehur të gjithë gatishmërinë e qeverisë. Por, ai theksoi se ky proces padyshim nuk është ekskluzivitet i qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike.

“Unë dëshiroj të nënvizoj se ne jemi 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjeve për të shkuar drejt hapjes së negociatave. Jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë e cila vetëm sa ka filluar.

Jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë, që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do kishim dashur të sillej qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm”, theksoi Rama.

Më herët komisioneri Fyle është takuar me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, i cili u shpreh se kishte besim në marrjen e një vendimi pozitiv në dhjetor, duke shtuar se institucionet dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për përballimin e sfidave të identifikuara nga progres raporti. Komisioneri Fyle i vijoj takimet për të njëjtat çështje me kryetarin e kuvendit Ilir Meta, ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Në orët e pasdites, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle u prit në Kryesinë e Kuvendit nga kreu i këtij institucioni, Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi kontributin e Komisionit Europian në progres-raportin pozitiv për Shqipërinë dhe rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Meta tha se Kuvendi po harton një plan veprimi të përbashkët për t’u përballur me të gjitha pikat e raportit.

Ndërkohë, Komisioneri Fyle i bëri thirrje klasës politike që të përqendrohet në prioritetet kyçe për vendin nëpërmjet bashkëpunimit dhe dialogut konstruktiv.

Europa e gjeneratës së re
Fule dhe Rama, takim me të rinjtë shqiptarë dhe ata nga vendet e Ballkanit

Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule, dhe kryeministri Rama morën pjesë në konferencën “Europa e gjeneratës së re”, ku bashkëbiseduan me 800 studentë të ekselencës jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga vende të tjera të Ballkanit.

Teksa iu përgjigj pyetjeve të studentëve mbi përfitimet e integrimit në Bashkimin Europian, Fule inkurajoi studentët që të kontribuojnë secili për vendin e tij.

“Pasi të mbaroni studimet, më lejoni t’iu inkurajoj që të vazhdoni të punoni për konsolidimin demokratik të vendeve tuaja, duke pasur një interes gjithnjë e më të mirë te politika, te çështjet e përditshme politike, jo vetëm në nivele vendorë, rajonalë, por edhe në ato të Bashkimit Europian. Pse të mos jeni pjesë e këtij transformimi të vendeve tuaja. Të jeni qytetarë aktivë. Bëni që zërat tuaj të dëgjohen”, tha Stefan Fule.

Ndërsa kryeministri Rama tha se tashmë do të jetë  konkurrenca dhe vlerësimi mbi meritën, kriteri i përzgjdhjes për tregun e punës.

“Është sfida jonë e madhe për t’i hapur rrugën lirisë, konkurrencës dhe vlerësimit me meritën që në shkolla, në universitete, në rrugën e pas-studimeve, në konkurrencën në treg, në atë në të gjitha fushat ku, në Europën që duam të integrohemi, fuqia e ideve, forca e transmetimit të tyre dhe vullneti për t’i realizuar ato janë fakt dhe graviteti i suksesit të gjithsecilit”, tha Edi Rama.

I pyetur nga studentë për sa i përket numrit të madh të diplomave dhe mospërshtatjes me tregun e punës, Rama u përgjigj.

“E vërteta është që ne na duhet menjëherë akreditimi i universiteteve, konkurrenca dhe merita edhe mes vet atyre, në mënyrë që cdo diplomë të marrë vlerën e mundit, sakrificave dhe dijeve të cdo studenti dhe në të njëjtën kohë na duhet që të ndërtojmë rrugën alternative, arsimin profesional. Sepse jemi duke shkuar drejt një populli të diplomuar tërësisht, por po të kërkosh një hidraulik, marangoz, elektricist, është shumë e vështirë”, shtoi Rama.

Europa, tha Rama, është një udhëtim i yni së bashku, jo për të lënë Shqipërinë për të shkuar drejt Brukselit, por për ta gjetur Europën e bashkuar të vlerave dhe të parimeve, mbi të cilat është ngritur ky projek i madh brenda nesh.

Top Channel