“Crown” miratohet pa opozitën

11/11/2013 00:00

Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi pa praninë e opozitës projektligjin që ka për qëllim menaxhimin e doganave nga shoqëria ndërkombëtare ‘Crown Agents’.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se përmes kontratës dyvjeçare me kompaninë britanike synohet rritja e të ardhurave nga dogana, si element thelbësor në mbushjen e arkës së shtetit të lënë bosh, siç u shpreh ai, si  pasojë e punës së papërgjegjshme të kryer deri më tani.

“Ne shpresojmë se të ardhurat e doganave do të rriten me rreth 90 milionë euro në vit. Gjithashtu, gjykojmë se 10 për qind e shumës së kontraktuar me kompaninë jepet në vartësi të kontrolleve që njerëzit tanë bashkë me agjentët e ‘Crown Agents’ do të organizojnë. Nëse dogana me organet e saj realizon 320 kontrolle, njerëzit tanë me mbështetjen e Crown Agents do realizojnë 325 kontrolle”, deklaroi Cani.

Seanca shkaktoi debate të forta mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, e cila e quajti të papreçedentë sjelljen në komison të një projektligji të papërfunduar ende, duke e argumentuar ndër të tjera si jotransparente dhe me kosto për buxhetin e shtetit. Kjo ka shkaktuar edhe largimin e deputetëve të djathtë nga komisioni.

“Kemi zgjedhur këtë rrugë për të mos ndryshuar atë ligj. Ju sollëm një ligj të veçantë që ju thotë se do të ndiqet kjo rrugë për këtë çështje. Ju keni zgjedhur rrugë të tjera, ndërsa ne vendosëm që të jemi transparentë dhe po e çojmë transparencën më tej”, nënvizoi ministri Cani.

“Ju po na thoni: miratoheni njëherë kështu këtë ligj, pastaj e ndryshojmë ne. Me këtë model të tillë, që vetëm transparencë nuk ka, ne nuk mund të pajtohemi. Miratojeni siç keni miratuar gjithçka, me anë të votës dhe pastaj do të mbani përgjegjësitë”, reagoi deputeti Edi Paloka.

Kompania do të marrë si parapagesë 10 për qind të shumës totale prej 8.5 milionë eurosh që do të paguhet për asistimin dhe mbikëqyrjen e doganave shqiptare. Por kjo pagesë mund të ulet deri me 25 për qind nëse nuk ka rezultate në rritjen e të ardhurave për të cilat palët bien dakord.

Top Channel