Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë së shpejti një vizitë zyrtare në Serbi ku në qendër të axhendës do të jetë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

Lajmi është konfirmuar nga Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati gjatë një seminari në Durrës me temë “Akademia Rajonale për Demokracinë”.

“Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi dhe ky besoj se përbën një moment historik në marrëdhëniet tona. Ne jemi të vendosur të punojmë për të ardhmen që të forcojmë marrëdhëniet tona ekonomike dhe politike me Serbinë. Ndërsa një takim trilateral mes ministrave të Jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë do të zhvillohet në vitin 2014″, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm tha se në takimet e Ramës do të diskutohet bashkëpunimi në energjitikë, turizëm dhe bujqësi.

Megjithëse nuk ka ende një datë zyrtare të vizitës së Ramës në Beograd, një hap i tillë do të konsiderohej historik në marrëdhëniet mes dy vendve.

Top Channel