Në këtë mënyrë, edhe pse pesë muaj me vonesë, anëtarët e Këshillit Bashkiak, të majtë e të djathtë së bashku, rikonfirmuan Aldrin Dalipin si kryetar të këtij Këshilli.

Pas gjetjes së gjuhës së përbashkët, kryetari i Këshillit Dalipi u kërkoi ndjesë qytetarëve të Tiranës në emër të kujtdo për vonesën.

“Unë nuk dua të mbaj fjalë të gjatë, sepse është humbur jashtëzakonisht shumë kohë. Dua t’u kërkoj ndjesë qytetarëve të Tiranës në emër të kujtdo, i cili në njëfarë mënyre e mbajti peng këtë Këshill, por s’duam t’i vëmë emër askujt. U kërkoj ndjesë për këtë kohë të humbur dhe dua të filloj menjëherë nga rendi i ditës. Kam një propozim mbi tavolinë, ka ardhur nga kryetari i Bashkisë për një shtesë fondi në buxhetin e njësisë bashkiake numër 11, për dhënie ndihme financiare për familjet e dëmtuara nga përmbytja e datës 16 tetor 2013”, deklaroi Aldrin Dalipi.

Kryebashkiaku Lulzim Basha e konsideroi konsensusin mes këshilltarëve të mazhorancës dhe opozitës si një shembull të mirë.

“Kemi dhënë shembullin më të mirë sot, ndonëse pak me vonesë, por më mirë vonë se kurrë për popullin. Jemi të gatshëm të rifillojmë punën për t’i shërbyer me punën e këtij Këshilli një axhende”, u shpreh Lulzim Basha.

Në rendin e ditës u diskutua dhe më pas u miratua akordimi i fondit prej një milion lekësh në ndihmë të familjeve të përmbytura në njësinë bashkiake numër 11. Por, për kryebashkiakun Basha situata vijon të jetë e vështirë për këto familje.

“U ka ndodhur 6 mijë banorëve të kryeqytetit. Sot, po të shkoni, do të shikoni se gjendja është ende e rëndë. Pra, situata emergjente në kuptimin strikt të fjalës nuk ekziston më, por gjendja e këtyre banorëve është më se emergjente. Ndaj, le t’i drejtojmë një thirrje institucionale organeve të pushtetit qendror, së bashku me Prefekturën e Tiranës, që t’i drejtojnë sytë dhe fondet për t’u ardhur në ndihmë banorëve”, shtoi Basha.

Top Channel