Kryeministri shqiptar Edi Rama, pasditen e së martës pritet të mbërrijë në Maqedoni për një vizitë zyrtare.

Fillimisht Rama do të pritet nga homolugu maqedonas Nikolla Gruevski, ndërsa të mërkurën ai do të takohet me presidentin Gjorgje Ivanov.

Me Gruevskin, Rama pritet të diskutojë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin integrues dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Mësohet se, gjatë këtij takimi Rama pritet të prekë edhe temën për hapjen konsullatës shqiptare në Manastir, qytetin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Kjo do të jetë vizita e parë e Edi Ramës në Maqedoni në cilësinë e kryeministrit. Vitin e kaluar, ai e vizitoi disa herë Maqedoninë si lider i opozitës.

Prezenca e tij në hapjen e ekspozitës së flamujve në Tetovë vitin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kishte bërë bashkë pas një kohe të gjatë, liderët politikë të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ndërkohë, për të mërkurën nuk ka ndonjë paralajmërim për takim të përbashkët. Në cilësinë e kryeministrit, sipas njoftimeve zyrtare, Rama do të zhvillojë takime kokë më kokë me liderin e BDI-së. Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi në selitë partiake përkatëse në Tetovë.

Top Channel