Samiti i Procesit të Berlinit mbahet sot në Mal të Zi, Rama dhe liderët rajonalë marrin pjesë Pas transmetimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku tregohej se si studentët pagueshin për të votuar në zgjedhjet e kësaj të diele në Korçë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike.
“Fakte tronditëse dolën sot në mbrëmje në sytë e gjithë shqiptarëve për manipulimin e paturpshëm të votimit në Korçë, për blerjen e zgjedhjeve, për shkeljen e ligjit dhe Kodit Zgjedhor. E gjithë Shqipëria pa me sy dhe dëgjoi me veshë se si zyrat e PS në Korçë paguanin ditën me diell, 2 mijë lekë për çdo votë, njësoj si më 23 qershor. Ky denoncim dhe pohimi me zë në zyrat e PS në Korçë është tregues tronditës se kjo metodë e PS dhe klientëve të saj financues të fushatës u përdorën edhe në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Eduard Halimi.
Sipas Halimit, në zgjedhjet e Korçës u shënua rekordi i mospjesëmarrjes, si protestë e heshtur e qytetarëve. Ish-ministri i Drejtësisë tha se blerja e votës është shkelja më e rëndë e ligjit, ndaj edhe kërkoi hetime.
“PD i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Të sekuestrojë menjëherë të gjithë regjistrat dhe dokumentacionet që u panë me sy nga të gjithë shqiptarët në zyrat e PS në Korçë dhe të kërkojë ndëshkimin më të ashpër ndaj të gjithë ekzekutorëve, organizatorëve, urdhëruesve, përfituesve dhe financuesve të këtij akti të rëndë. PD kërkon anulimin e zgjedhjeve në Korçë dhe përsëritjen e tyre me kusht që të ofrohen garanci nga vëzhguesit që Rama dhe të tijtë të heqin dorë nga zakoni i blerjes së votës siç u pa sot qartë nga të gjithë shqiptarët”, u shpreh Halimi.
Top Channel