Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, së bashku me ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha kanë nisur një tur takimesh në disa vende të ndryshme europiane.

Ndalesa e parë ka qenë Franca, një vend me peshë në vendimmarrjen europiane. Në një intervistë telefonike për Top-Channel, ministri Bushati fillimisht i është përgjigjur pyetjes se çfarë synohet të arrihet nëpërmjet kësaj vizite në Paris.

“Me Francën duam të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, në shpirtin e mbështetjes që presidenti Hollande i ka dhënë samitit të Bernës. Gjithashtu, si një vend kyç për zgjerimin e BE, presim mbështetje për statusin e vendit kandidat”, ka deklaruar Bushati.

I pyetur mbi temat e bisedimeve në takimin me homologun Laurent Fabius, Bushati ka thënë: “Diskutuam për fusha bashkëpunimi konkrete, si ajo e energjitikës, ujërave, transportit. Natyrisht, folëm edhe për statusin e vendit kandidat. Kërkova një mbështetje të ministrit Fabius për Shqipërinë”.

Më tej, shefi i diplomacisë shqiptarë ka dhënë edhe opinionin e tij përsa i përket votës franceze në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të Ministrave të BE-së në lidhje me statusin e vendit kandidat.

“Së pari më lejoni të informoj se ministri i Jashtëm francez do vizitojë Shqipërinë në fillim të vitit 2014 dhe ai më konfirmoi mbështetjen për marrjen e një statusi të merituar, që do të thotë se Shqipëria do të vahzdojë procesin e reformave dhe Franca do ta mbështesë në këtë drejtim”, ka shtuar Bushati.

Top Channel