“Akuzat për korrupsion, të rreme”

04/11/2013 00:00

Sulmet dhe kritikat e adresuara nga opozita pasi qeveria Rama zgjodhi si konsulente për doganat kompaninë “Crown Agents” kanë sjellë reagimin e Ambasadës Britanike në Tiranë.

Disa orë pasi kryetari i PD, Lulzim Basha akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe klientelizëm në lidhjen me marrëveshjen, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar i dërgoi medias një deklaratë ku në fillim thuhet se:

“Në Shqipëri për disa kohë ka patur probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore. Ka një nevojë të menjëhershme dhe serioze për të rritur të ardhurat nga doganat dhe taksat, në mënyrë që qeveria e Shqipërisë të mund të sigurojë shërbimet dhe projektet që janë të kërkuara nga qytetarët e vendit. Ka gjithashtu një kërkesë për ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve në fushën e doganave dhe për masa për të ulur nivelin e korrupsionit”.

Kompania britanike “Crown Agents” i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, thuhet në vijim të njoftimit, duke përfshirë elementet e rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të karrierës.

Sipas Ambasadës Britanike, vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe Parlamenti shqiptar, duke marrë parasysh nevojat e Shqipërisë, përmbajtjen e projektit dhe koston.

“Megjithatë, është e rëndësishme të merret në konsideratë se “Crown Agents” është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ishte pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar derisa u privatizua në vitin 1997 dhe qeveria britanike ka ende një vend në Fondacionin “Crown Agents” që mbikëqyr aktivitetet e kompanisë. Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Mbretërisë se Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Ajo ka menaxhuar projekte specifike në fushën e doganave, me sukses të madh, në Bullgari, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. “Crown Agents” vepron krejtësisht në përputhje me legjislacionin strikt të Mbretërisë së Bashkuar mbi praktikat e biznesit dhe me ligjet e vendeve në të cilat është duke punuar. Mirëmbajtja e parimeve më të larta dhe standardeve etike është e rëndësishme për kompaninë dhe për qeverinë britanike”, thotë deklarata.

Ambasada Britanike hedh poshtë të gjitha akuzat e bëra nga politikanët e opozitës gjatë ditëve të fundit, ku sulmohej reputacioni i “Crown Agents”.

“Projekti i propozuar nga “Crown Agents” është një temë legjitime për mediat dhe debatin politik. Pa dyshim ka argumente pro dhe kundër një propozimi të tillë. Megjithatë, disa individë në qarqet politike shqiptare dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër “Crown Agents”, madje edhe duke kërkuar të lidhin aktivitetet e kompanisë me ish-anëtarë të shquar të qeverisë britanike”, nënvizohet në deklaratë.

“Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt/propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuar dhe krejtësisht të pabaza”, thuhet në fund të deklaratës së ambasadës britanike.

Top Channel