Papoulias pritet nga PBDNJ e OMONIA

03/11/2013 00:00

Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, u prit në një takim nga drejtuesit më të lartë  të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe organizata OMONIA.

Papoulias ishte i shoqëruar në këtë takim nga delegacioni i ministrave, që e shoqërojnë atë gjatë vizitës 3-ditore në vendin tonë.

Edhe pse takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, në një prononcim për mediat pas takimit, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule shprehu kënaqësinë për takimin me presidentin Papoulias, të cilin e cilësoi si mikun e shqiptarëvë.

Dule shtoi se gjatë takimit u diskutua lidhur me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe mbështetjen që Greqia i ka dhënë dhe do t’i japë vendit tonë në rrugën europiane. I pyetur lidhur me çështjen e varrezave, kreu i PBDNJ-së theksoi se kjo është një çështje që kërkon një zgjidhje të menjëhershme dhe humane.

Ndërkaq, më herët gjatë ditës, presidenti i Greqisë dhe delegacioni shoqërues zhvilluan një takim me kryepeshkopin Anastas Janullatos, në ambinentet e Kishës Ortodokse. Gjatë fjalës së tij, presidenti Papoulias theksoi se Greqia nuk e ka braktisur asnjëherë Shqipërinë dhe do vazhdojë t’i qëndrojë pranë.

Policia e Shtetit: Bllokim aksesh rrugore gjatë ditës së hënë

Policia e Shtetit ka njoftuar se ditën e hënë do të bllokohen disa akse rrugore për shkak të vizitës së presidentit grek, Papoulias. Bllokimi i tyre do të nisë nga ora 08:00 e do të vazhdojë deri më 15:00.

Disa nga akset kryesore që do të bllokohen janë: rruga “Lek Dukagjini”, që kalon përpara RTSH-së, rruga nga ura pranë ish-“Hotel Dajtit”, deri te hotel “Sheraton”, rrugët “Jul Variboba”, “Mustafa Matohiti”, “Ismail Qemali”, “Asim Zeneli” dhe “Abdyl Frashëri”.

Top Channel