Partia Socialiste zhvilloi pasditen e së premtes mitingun përmbyllës në Korçë për zgjedhjet për kryetar bashkie që do të zhvillohen të dielën.

Kryeministri Edi Rama ftoi edhe të djathtët për të votuar kandidatin e së majtës Sotiraq Filo, sepse sipas tij, ai ka projektin e së ardhmes.

Rama tha se duhet votuar për Filon, për të çuar më tej projektin e ish-kryetarit Niko Peleshi, që tashmë është zëvendëskryeministër. Socialistët, tha Rama, kanë dhënë prova se nuk qeverisin për veten, por për të ardhmen e vendit.

“Është një pritje e jashtëzakonshme. Ne jemi shumë krenarë sepse megjithëse sot vijmë si anëtarë të qeverisë, asnjë nuk e kemi sjellë me zor në këtë miting. Kjo në fakt mbase shpjegon pse opozita nuk bëri dot një miting, sepse tani nuk i përgjigjet njeri më apeleve me listë tek vendi i punës. Në Shqipëri, socialistët dhe progresistët, ndryshe nga kundërshtarët tanë, e kanë treguar dhe po e tregojnë se nuk qeverisin për vete, por gjithë shqiptarët pa dallim”, deklaroi Rama.

Në zgjedhjet për kreun e bashkisë së Korçës, socialistët kanë një kandidat të përbashkët me LSI-në dhe FRD-në, që iu bashkua kësaj force pas thirrjes që bëri vetë kandidati për kryebashkiak, zoti Filo.

Top Channel