Xhemal Gjunkshi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare ka dorëzuar kërkesën për dorëheqje në Presidencë.

Burime nga presidenca i pohuan Top Channel se mbi tavolinën e Presidentit të Republikës Bujar Nishani ka mberritur kerkesa e Gjunkshit per doreheqjen nga detyra. Ndërsa burime prane Gjeneral Gjunkshit pohojnë se dorëheqja është kërkuar fillimisht nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë asnjë prononcim rreth kësaj kërkese së dorëheqjes së Gjuknshit, duket se një prej shkaqeve që e çuan ministren Kodheli në kërkesën e dorëheqjes lidhet me përmendjen e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një sërë dokumentesh të publikuara nga Wikileaks, në 2011.

Sipas kabllogramit, Ambasada Amerikane raportonte ne Uashington se Gjunkshi, në atë kohë komandant i regjimentit të komandove është akuzuar nga një grup oficerësh të Ushtrisë Shqiptare, se merrte ryshfet për të emëruar ushtarakët në misionet paqeruajtëse jashtë shtetit, kryesisht Irak. Pagesa e ryshfetit ishte 7 mijë dollarë, gati gjysma e shpërblimit që ata do të merrnin për një periudhë 6-mujore qëndrimi atje, theksonte kabllogrami i Ambasadës Amerikane.

Grupi i oficerëve, që ka akuzuar kolonel Gjunkshin, përmes një letre konfidenciale, e cila citohej në kabllogram kanë vënë në dijeni për këtë aferë drejtuesit më të lartë të Qeverisë.Atë kohë gjeneral Gjunkshi i kundershtoi akuzat si të pabaza.

Gjeneral Gjunkshi iu kundërvu Qeverisë së shkuar kur nisi përpjekjet për ta kthyer godinën e SHQUP-it në seli të PD-së. Nëpërmjet një letërkëmbimi mes tij dhe Ministrisë së Mbrojtjes Gjunkshi shprehej se ajo godinë nuk mund të nxirrej nga inventari i Ushtrisë pasi në të kryheshin një sërë veprimtarish dhe në këtë mënyrë ajo ishte funksionale.

Por qëndresa e Gjunkshit nuk u mor parasysh nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Bujar Nishani, i cili firmosi nxjerrjen nga inventari i ushtrisë të godinës së SHQUP-it, e cila u kthye në godinë të PD-së.

Gjithsesi, ish-opozita, tani mazhorance ne pushtet nuk e shihte bashkepunimin me gjeneralin, si nje opsion qe mund te vazhdonte, duke argumentuar edhe me raportet dhe mungesen e preferences per Gjunkshin, sipas tyre te partnereve strategjike te Shqiperise.

Top Channel