Gjovalin Kadeli largohet nga PD

30/10/2013 22:10

Mazhoranca parlamentare do të numërojë tashmë 85 vota në gjirin e saj, pas rikthimit të Gjovalin Kadelit tek e majta, jo te PS, por te Lëvizja Socialiste për Integrim.

Mandatin e shkuar, zoti Kadeli ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe u largua nga kjo e fundit si pasojë e debateve me kreun Edi Rama, vetëm pak kohë para zgjedhjeve.

Pas kandidimit në qarkun Lezhë me Partinë Demokratike në 23 qershor, zoti Kadeli tashmë merr vendimin për t’u afruar te Lëvizja Socialiste për Integrim, që e çon në 19 numrin e deputetëve të saj në Kuvendin e Shqipërisë.

“Duke qenë se komunikimi dhe marrëdhënia ime me votuesit, miqtë e mi, kolegët e mi, me të cilët prej shumë vitesh jemi te formacioni politik i majtë në qarkun e Lezhës, e ndjeva detyrim që të përmbush një kërkesë të tyre, në mënyrë që të jem më pranë tyre dhe që të përligj në njëfarë mënyrë gjithë atë mund e djersë që kam derdhur këto vite në politikë. Ky është një vendim i marrë, mendoj, në kohën e duhur. Rol të rëndësishëm në këtë vendimmarrje kanë luajtur miqtë dhe njerëzit e mi, të cilët në këto zgjedhje konfirmuan se janë mbështetës të marrëdhënies sonë prej vitesh, e ndërtuar me shumë mund e djersë, sidomos gjatë 8 viteve të opozitës”, tha Kadeli.

Zoti Kadeli thekson se pas largimit të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, atë nuk e lidh më asgjë me të djathtën, pasi – siç thekson – marrëveshjen e ka pasur me zotin Berisha dhe jo me krerët aktualë të PD-së.

“Së pari jam rikthyer te LSI, e cila tashmë është konfirmuar si një parti solide dhe e majtë, parti ku kanë gjetur veten shumë eksponentë të majtë të larguar ose jo nga Partia Socialiste. Kështu që unë e shoh të natyrshme këtë lëvizje, sepse marrëdhënia ime me PD-në ka qenë shumë e qartë, ose më saktë me ish-liderin e saj, Sali Berisha, i cili tashmë nuk e drejton më atë parti. Duke qenë se ai u largua nga drejtimi i saj, mua nuk më lidh asgjë me atë subjekt politik pasi marrëdhënia ime ka qenë vetëm me njeriun Sali Berisha, të cilin e vlerësoj dhe e respektoj për të gjitha ato çfarë kemi bërë deri tani së bashku, të paktën në këtë periudhë kur unë kam qenë pjesë e tij dhe PD”, shtoi Kadeli.

Nëse mazhoranca e majtë numëron tashmë 85 deputetë në Kuvend, opozita – ku përfshihen veç demokratëve edhe PDIU, Partia Republikane, LZHK dhe PDK – ka mbetur vetëm me 55 të tillë.

PD: Kadeli iku për pazare

Largimi i Gjovalin Kadelit ka sjellë menjëherë reagimin e kryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

Ai tha se largimet nga opozita drejt qeverisë nuk dëmtojnë asnjëherë opozitën, e cila nga vetë emri është kategori e pakicës. Paloka thekson se mbron parimin, që deputeti duhet të respektojë deri në fund votën e zgjedhësve.

“Megjithatë, ka një kuptim politik për deputetin të lërë qeverinë dhe të kalojë në opozitë. Por, e kunderta, domethënë ikja nga opozita për t’iu shtuar si numër qeverisë, është vetëm një çështje e interesave vetjake dhe pazareve të paskrupullta”, thekson Edi Paloka.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, në mbrëmje vonë, ai thotë se Gjovalin Kadeli e dëshmoi se erdhi para zgjedhjeve me qeverinë e Partisë Demokratike vetëm për përfitime vetjake.

“Kjo qeveri mund të blejë deputetë me premtime dhe shpërblime, por forca e opozitës buron nga vlerat që ajo mbron, nga alternativa që zhvillon, nga shpresa që ngjall për publikun. Në këtë kuptim, Partia Demokratike, me grupin e saj shumë të kualifikuar të parlamentarëve, është një opozitë e fortë, që vetëm do të forcohet e do të rrisë mbështetjen popullore dita-ditës”, përfundon deklaratën e tij Edi Paloka.

Top Channel