Ardhja e ambasadorit të ri të SHBA-ve në Tiranë është paraprirë nga vizita e Zëvendës-Ndihmës/Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Hoyt Yee.

Në takimin me shefin e diplomacisë shqiptare, zoti Bushati deklaroi më pas se kishte konfirmuar zyrtarit amerikan vullnetin e plotë për çuarjen e vendit përpara në rrugën drejt familjes europiane.

Reformat e qenësishme në fushën e shtetit të së drejtës janë në krye të ambicieve të qeverisë shqiptare, deklaroi ministri i Jashtëm, duke marrë në këtë çështje mbështetjen e plotë të zyrtartit amerikan, kur tha se SHBA-të janë në krahë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bushati rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare në mbështetje të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë.

“Është një qëndrim që në rastin e Shqipërisë merr shkas edhe nga arsyet dhe rrethanat historike, ku kombi shqiptar ka vuajtur genocidin dhe retorikat represive. Mbështetja që i kanë dhënë SHBA-të dhe klubi i vendeve të NATO-s ka qenë decizive për zhvillime pozitive jo thjesht për kombin shqiptar, por për të gjithë rajonin”, tha Ditmir Bushati.

“Shpreha vlerësimin e qeverisë sime për solidaritetin e Shqipërisë në një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë përpjekjet ndërkombëtare për ta mbajtur regjimin e Assad-it në Siri llogaridhënës. Ministri dhe unë ramë dakord që të vijojmë marrëdhëniet mes dy qeverive tona, qeverisë së tij dhe  ambasadës sonë për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në rajon dhe gjetkë”, tha Hoyt Yee.

Mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE, zyrtari i lartë amerikan mësohet se e ka deklaruar edhe në takimin me kryeparlamentarin Ilir Meta, ku ai theksoi rëndësinë e përqendrimit në adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian.

Në këtë pikë, zoti Meta shprehu bindjen se qeveria e re do të tregojë vendosmërinë e duhur për të përmbushur të gjitha rekomandimet e Komisionit, si dhe garantoi zhvillimin e dialogut konstruktiv mes palëve dhe në parimin e gjithëpërfshirjes në Parlament.

Top Channel